Vllaznia i falet Hoxhajt për të ruajtur kreun, Partizani gjen golat dhe fitoren, nuk ndalen Teuta e Laçi!

Vllaznia ruan kreun e Kategorisë Superiore edhe pas javës së 10-të...

Vllaznia ruan kreun e Kategorisë Superiore edhe pas javës së 10-të. Shkodranët u treguan racionalë dhe falë një goli të Ardit Hoxhajt me kokë, triumfuan 0-1 në Fier përballë Apolonisë së vendit të fundit duke marrë tre pikë të artë që mund t’i ndihmojnë në arritjen e objektivave në fund të sezonit. Skuadra e Brdaric la menjëherë pas krahëve disfatën ndaj Laçit duke fituar me golin e Hoxhajt në minutën e 40-të, një finalizim me vlerë 3-pikëshe që i ngjiti shkodranët në kuotën e 22 të tillave.

Buzëqesh më në fund edhe Partizani. Pa Ilir Dajën në stol që mungoi për arsye shëndetësore të kuqtë triumfuan 2-0 ndaj Kastriotit në Selman Stërmasi, duke u rikthyer te goli por edhe te suksesi pas 4 ndeshjesh pa fituar dhe pa shënuar. Isli Hidi u mundua t’ia bënte sfidën të vështirë Partizanit me pritjet e tij, por në fund kishte festë për të kuqtë të cilët zhbllokuan ndeshjen me sulmuesin e talentuar Tedi Cara në minutën e 86-të dhe një penallti të fituar dhe realizuar nga Jasir Asani në minutën e 94-t. Me këtë fitore Partizani u ngjit në kuotën e 16 pikëve.

Mori fitoren e dytë radhazi Teuta që la në fundin e tabelës së renditjes Skënderbeun falë suksesit 1-3 në Korçë. Ishte një fitore nën shenjën e ishëve për Teutën pasi për t’i dhënë një tjetër goditje Skënderbeut menduan Dejvi Bregu që zhbllokoi shifrat pas vetëm 16 minutash me 11-mëtërsh, ndërsa Blerim Krasniqi shënoi dy herë në pjesën e dytë, 1 herë me aksion dhe 1 herë me një tjetër 11-metërsh duke bërë të pavlefshëm edhe golin shumë të bukur të barazimit provizor të korçarëve të realizuar nga sulmuesi shkodran Belajdi Pusi. Me këtë sukses Teuta u ngjit në vendin e 4-t në kuotën e 16 pikëve.

Gjeti suksesin e dytë rresht në kampionat edhe Laçi i Shpëtim Duros që bëri detyrën ndaj Bylisit në Kurbin duke fituar pastër 2-0 me nga një gol për çdo pjesë. Sfidën e zhbllokoi Redon Xhixha në pjesën e parë pas asistit perfekt të Dave Harmon ndërkohë që në fraksionin e dytë shënoi edhe mesfushori Regi Lushkja, me Laçin që mori fitoren e 3-të sezonale dhe u ngjit në kuotën e 14 pikëve në kampionat.