Vrasja e 25-vjeçarit nga “Shqiponjat”, reagon Avokati i Popullit: Kemi nisur hetimet, e drejta për jetën prevalon mbi çdo rrethanë

Institucioni i Avokatit të Popullit ka reaguar për vrasjen e 25-vjeçarit Klodjan Rasha nga punonjës të Policisë së Shtetit. AP shkruan se e drejta për jetën e çdo njeriu duhet të prevalojë në çdo rrethanë e situatë e të mbrohet me ligj

AVOKATI I POPULLIT HETON MBI RASTIN E VRASJES SË NJË TË RIU NGA POLICIA

Avokati i Popullit u njoh mëngjesin e sotëm nga mediat me lajmin e vrasjes së një të riu me iniciale K.R, 25 vjeç nga një punonjës i Policisë së Shtetit me armë zjarri.

Për hetimin e kësaj ngjarjeje është përfshirë Shërbimi për Çështjet e Brendshme dhe Ankesat dhe Prokuroria.

Ndërkohë nga Avokati i Popullit ky rast do të ndiqet me prioritet në vijim, me qëllim zbardhjen sa më shpejt të së vërtetës, duke u kryer një hetim i plotë e i gjithanshëm nga organet kompetente.

E drejta për jetën e çdo njeriu duhet të prevalojë në çdo rrethanë e situatë e të mbrohet me ligj!