Kreu i Njësisë Administrative në Kotë të Selenicës është vrarë këtë të premte me një armë gjahu, nga një bashkëfshatar i tij.
Ngjarja ndodhi rreth orës 15 në hyrjen e lokalit të fshatit, kur Admir Delaj, i cili pak minuta para ngjarjes kishte qenë në një tavolinë me 64-vjeçarin, kishte pasur një debat me të ndërsa kishin konsumuar së bashku pije alkoolike.
44-vjeçari e qëlloi me armë gjahu mikun e tij dhe u largua me një automjet nga vendi i ngjarjes. Policia, pas një ore mundi ta kapë pranë banesës së tij në fshatin Gumenicë. Policia i gjeti edhe armën me të cilën kreu vrasjen.
Pak orë pas vrasjes së 64-vjeçarit Fatmir Hodaj në fshatin Kotë të Selenicës, policia ka bërë të mundur identifikimin dhe më pas arrestimin e autorit të dyshuar të kësaj ngjarje.
Policia ka bërë të ditur se në pranga është vënë shtetasi Admir Delaj. Sipas policisë, personi i vënë në pranga ka qëlluar me armë gjahu shtetasin F. H., 64 vjeç, banues në fshatin Gumenicë, i cili ka humbur jetën.
Forcat e Policisë u vunë në ndjekje të autorit ku pas afro një orë ndjekje, u bë e mundur kapja e tij, në dalje të banesës në fshatin Gumenicë ku kishte mbyllur mjetin dhe po tentonte të largohej.
Nga hetimet paraprake të kryera dyshohet se ngjarja ka ndodhur nga një konflikt i çastit, pasi dy shtetasit e mësipërm kanë konsumuar pije alkoolike bashkë disa minuta para se të ndodhte ngjarja.
Grupi hetimor ka sekuestruar në cilësinë e provës materiale armën e krimit (armë gjahu “Çifte”), si dhe automjetin me të cilin u largua nga vendi i ngjarjes (Fuoristradë Benz ML).
Gjithashtu nga kontrolli i ushtruar në banesë është gjetur dhe sekuestruar edhe një armë tjetër gjahu tip “Çifte” e cila nuk ka lidhje me ngjarjen, por rezulton pa lejen përkatëse./TCh



