Vrau bashkëshorten shtatzënë në sy të fëmijëve, gjendet i vdekur 29 vjeçari

Të afërm të viktimës thanë se nuk kishin asnjë dijeni mbi motivet.

Demokrat Medinaj, 29 vjeç, i cili ishte në arrati pasi vrau bashkëshorten  28-vjeç pasditen e të mërkurës me thikë për motive dhe rrethana ende të paqarta, u gjet i vdekur 800 metra larg shtëpisë që ishte edhe vendi i krimit.

Policia e Fierit njoftoi se Medianaj kishte qëlluar disa herë me thikë dhe kishte vrarë të shoqen Irvana Medinaj, nënë e dy fëmijëve dhe shtatzënë me një fëmijë të tretë. 29-vjeçari u gjet të enjten i vdekur 800 metra larg shtëpisë. Policia tha se ai nuk kishte shenja dhune në trup, ndërsa dyshohet se mund të ketë vdekur nga infarktit kardiak.

Të afërm të viktimës thanë se nuk kishin asnjë dijeni mbi motivet. “Ata ishin çift i qetë dhe bënin jetesë normale, Irvana ishte shtëpiake ndërsa Demokrati dhe prindërit e tij kishin një biznes pularie në Sheq”, thotë motra e Irvanës. Ajo tha se kërkonte drejtësi për të motrën e vrarë në mënyrë makabre, ndërsa kërkojë të ndaloheshin aludimet mbi motivet e krimit.

Të dhënat nga INSTAT flasin për përkeqësim të situatës së dhunës në familje dhe rritje me 9 për qind në vit të numrit të rasteve të dhunës, megjithatë sipas raporteve vjetore të Prokurorisë së Përgjithshme, procedimet penale për këtë vepër janë në rënie që prej vitit 2016.

Ekspertët besojnë se rënia e denoncimeve për dhunë dhe tolerimi i saj është një prej arsyeve që çon në krime të rënda, kryesisht ndaj grave dhe vajzave të dhunuara.