Një efektiv policie është vrarë në Lezhë, në zonën e njohur si “Gajush”, ku Xhulio Prela, një polic i ri, 26 vjeç është ekzekutuar me armë zjarri. Dosja.al ka mësuar se Prela është gjetur i vrarë në Gajush rreth orës 3 e mëngjesit të së shtunës, ndërsa trupi është dërguar në morgun e spitalit rajonal të Lezhës.
Paraprakisht mësohet se shkaku i vdekjes është një plumb që efektivi i FNSH-së në Shkodër, ka marrë në zonën e zemrës. Policia ndërkohë ka rënë në gjurmët e autorëve.
Ata dyshohet se janë larguar me një kamion të verdhë nga vendngjarja ndërsa përgjatë natës janë ngritur pika kontrolli për kapjen e tyre. Ende nuk ka një njoftim zyrtar për ngjarjen nga policia e Shtetit.
Xhulio Prela ishte larguar një vit më parë drejt Shkodrës për t’ju bashkuar FNSH
Mësohet se Prela ka qenë më herët si pjesë e trupës policore në Drejtorinë Rajonale të Policisë në Lezhë, ndërsa një vit më parë ishte transferuar tek FNSH-ja e Shkodrës. Po ashtu, mësohet se i riu vazhdonte studimet në Akademinë e Sigurisë në Tiranë, në vitin e tretë.
Xhulio Prela me origjinë nga Puka dhe me vendbanim në Tiranë, nuk ka patur probleme të mëparshme me persona të tjerë, ndërsa ende nuk ka një pistë mbi arsyet e vrasjes.
Ai është ekzekutuar me një plumb në zemër mëngjesin e sotëm. Dosja.al ka mundur të mësojë se autorët e vrasjes janë identifikuar dhe janë larguar nga vendngjarja me një kamion në ngjyrë të verdhë.


