Vuçiç paralajmëron bojkot të Samitit BE-Ballkani Perëndimor

Të enjten më 23 qershor në Bruksel pritet të mbahet Samiti BE – Ballkani Perëndimor.

Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç ka deklaruar se ende nuk ka vendosur nëse do të marrë pjesë.

Vuçiç tha se do të konsultohet me liderët e Open Balkan dhe qeverinë serbe për këtë çështje.

“Do të pres të konsultohemi në kuadër të Open Balkan me zotin Rama dhe zotin Kovaçevski. Do ta konsultoj dhe qeverinë. Pastaj do të sjellim vendim, nëse do të shkojmë në Bruksel dhe cili do të jetë pozicioni ynë”, tha Vuçiç.

Ai ka shtuar se është shumë i interesuar për të mësuar se çfarë do të ndodhi në këtë samit, pasi do të përcaktojë arkitekturën e Evropës.

Presidenti serb tha se ajo mund të jetë dita më e rëndësishme në 10 vitet e fundit në nivel evropian.

“Më intereson shumë si do të duket kjo të enjten, sepse në bazë të asaj do të mund të nxjerrim përfundime se si do të jetë arkitektura e Evropës. Ndoshta dita më e rëndësishme dhe më interesante në 10 vitet e fundit në nivel evropian”, shtoi lideri serb.

Qeveria e Maqedonisë së Veriut pritet të vendosë të martën nëse do të marrë pjesë në samitin që do të mbahet në Bruksel, ndërsa qeveria e Shqipërisë ende nuk ka bërë të ditur cili do të jetë qëndrimi i saj.

Konferenca e nivelit të lartë me Ballkanin Perëndimor do të mbahet një ditë para sesionit të Këshillit të BE-së 23-24 qershor që pritet të vendosë për integrimin e vendeve të rajonit.

Shqipëria dhe RMV presin hapjen e negociatave, gjë e cila kërkon heqjen e vetos nga Bullgaria, kurse Kosova pres liberalizimin e vizave.