Xhaka vs. Rashica, ja si festohet 20-vjetori i çlirimit të Prishtinës

Xhaka është kapiten i Zvicrës dhe lojtar i Arsenalit, ndërsa Rashica është yll i Kosovës dhe i Werder Bremenit.

Në njërën anë do të jetë ekipi i Granit Xhaka me shokë dhe në anën tjetër ekipi i Milot Rashicës me shokë, shkruan “Koha Ditore”. Xhaka është kapiten i Zvicrës dhe lojtar i Arsenalit, ndërsa Rashica është yll i Kosovës dhe i Werder Bremenit.

Yje të futbollit shqiptarë, por edhe figura të ndryshme publike, do të luajnë të shtunën (nesër, 20:00) në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë.

Kjo ndeshje reviale është një prej shumë aktiviteteve me të cilat po shënohet 20-vjetori i çlirimit të Prishtinës. Ndeshjen e organizojnë Komuna e Prishtinës dhe FFK-ja.

Sipas FFK-së, hyrja në tribunat pas portave do të jetë falas, ndërsa bileta për tribunën lindore do të kushtojë 2 euro. Për tribunën perëndimore, bileta kushton 3 euro, ndërsa të hyrat nga biletat do të ndahen për përkrahjen e 10 familjeve në nevojë.