Ndryshon dinamika e hetimit paraprak për ekzekutimin e efektivit të policisë në Lezhë. Xhulio Prela, efektiv i FNSH në Shkodër, është qëlluar me pistoletë TT dhe ka gjetur vdekjen. Drejt tij është qëlluar disa herë, por një plumb e ka kapur në zemër.
Por çfarë ndodhi para se i riu të kthehej në Lezhë? Ai ndodhej në Rinas, aty ku sipas hetuesve ka shkuar për të dërguar një të afërmin e tij në aeroport. Ndërkohë që teksa është kthyer, në autostradën Milot-Lezhë, një person i ka prerë rrugën, dhe në dorë ka patur një elektrik dore.
Ky person ka qenë i shoqëruar me dikë tjetër. Në këtë moment, Prela ka ulur xhamin dhe mendohet se ka debatuar me këtë person. Kur ka tentuar të largohet, ai është qëlluar tri herë nga autori. Një plumb e ka kapur në zemër duke i marrë kështu edhe jetën.
Xhulio Prela, 26 vjeç efektiv i FNSH në qytetin e Shkodrës është ekzekutuar me një plumb në zemër mëngjesin e sotëm. Autorët e vrasjes janë identifikuar dhe janë larguar nga vendngjarja me një kamion në ngjyrë të verdhë. I riu me origjinë nga Puka jetonte prej vitesh në Lezhë.


