Xhamia e Shën Sofisë që nxori lakuriq mediat dhe analistët shqiptarë/Nga i vjen uji mullirit?

Nga Malik Hasa

Ta nisim këtë shkrim me një mendim imagjinar. Mendoni pak: Ju blini një shtëpi, por për shkak të fqinjëve apo dikujt “kapadai” shtëpinë e blerë nuk mund ta përdorni si shtëpi… Çdo gjë e jetës dhe realitetit tënd, e historisë tënde është brenda në atë shtëpi, por ti nuk mund ta përdorësh…

Kur ushtria osmane çlironte një vend, në mënyrë simbolike ajo kthente në xhami kishën kryesore të atij vendi, por asnjëherë me anë të forcës… Për të vërtetuar këtë mjafton historia e Ulu Xhami (Xhamia e Madhe) në Bursa. Për nder të fitores në Niğbolu, sulltani i atëhershëm Yıldırım Bayazit, kishte premtuar që do të ndërtonte 24 xhami, por vendi ishte i vogël dhe të diturit e asaj kohe hodhën idenë e ndërtimit të një xhamie me 24 kupola në vend të 24 xhamive! Sipas stilit të vendosjes së qyteteve në atë kohë xhamia duhet të ndërtohej në vendin më të rëndësishëm, ku në këtë rast ishte qendra afër kalasë ose sikurse njihej ndryshe dhe çarshia ose bezistani. Arkitektët punuan me planin, ndërsa nëpunësit u përkushtuan për shpronësimin e vendit ku do të niste ndërtimi. Ata paguan edhe më shumë se vlera e tokës në mënyrë që të gjithë të ishin të kënaqur. Një nga banorët e këtij vendi, një e moshuar, nuk pranoi që në tokën e saj të ndërtohej xhamia. Sulltani i shkoi vetë ti lutej, por e moshuara nguli këmbë. Gjykata vendosi në favor të të moshuarës. Përfundimisht xhamia nisi të ndërtohej, por vendi që i përkiste të moshuarës u la bosh. I lanë edhe një korridor për të hyrë dhe dalë në pronën e saj. Pas disa kohësh e moshuara ndërroi jetë dhe prona e saj nuk kishte trashëgimtarë, por fakti që e moshuara nuk kishte lejuar që në truallin e saj nuk mund të ndërtohet xhami, dijetarët e asaj kohe ishin të mendimit që ajo pjesë që tashmë ishte në qendër të xhamisë të përdoret për diçka tjetër dhe jo si faltore. Përfundimisht edhe sot e kësaj dite kupola e mesit është me xham. Vendi poshtë saj është një shatërvan dhe në të nuk falet njeri. Një shtet me një drejtësi të kësaj natyre do të dilte në skenë për të njëjtin qëllim edhe në çlirimin e Stambollit ku sipas traditës kisha më e madhe do të kthehej në një xhami. Sulltan Fatihu e bleu këtë pronë dhe me dakordësinë edhe të të krishterëve, ajo u kthye në një faltore për muslimanët.

Askush nuk flet dhe sjell në vëmendje qindra mijëra objekte kulti të muslimanëve në të gjithë botën të marra me forcë dhe të përdorura dhe të përdhosura për qëllime nga më të ndryshmet. Vlen të përmendet xhamia e Spanjës në Kurtuba, e cila sot është katedralja më e madhe në rajon. Ose Xhamitë e Greqisë, disa prej të cilave janë përdorur edhe për xhirime të filmave me pullë, me qëllim nënçmimin e muslimanëve dhe nderit të tyre. Çuditërisht me rikthimin e Xhamisë së Shën Sofisë në identitet plasi një llum komentesh, reagimesh dhe përpjekjeve për të përdhosur vendimin e të parit të shtëpisë në Turqi (shtetit) për një godinë që të gjithë pjesëtarët e kësaj familjeje, por edhe më gjerë nuk e kishin ndryshuar kurrë në zemrat e tyre dhe që për ta gjithmonë kishte qenë xhami…

Po çfarë ndodhi? Përtej arrogancës dhe baltës së hedhur në drejtim të së drejtës dhe historisë, gjë e cila ndodh shpesh dhe nuk duhet të çuditemi shumë, kthimi në identitet i Shën Sofisë ishte një hap pozitiv edhe për një fakt tjetër shumë të rëndësishëm.

Prej kohësh në Shqipëri ekziston një debat mbi pompimin e shumave të mëdha të shteteve që kanë pretendime pse jo edhe territoriale në Shqipëri, ku ai më i përmenduri janë milionat e Greqisë të derdhura në mënyrë të fshehtë në mediat shqiptare për të rritur influencën e tyre në këtë vend. Një gjë e tillë nuk është trillim, por realitet dhe madje është pohuar edhe nga qarqe të ndryshëm në Greqi. Nga një listë e gjerë me media, të cilat ishin ushqyer nga ky vend u publikua, por çuditërisht ky debat nuk zgjati shumë dhe tashmë të gjithë janë heronj dhe “media të mira” në syrin e lexuesit.

Kthimi në identitet i Shën Sofisë ishte një goditje e madhe dhe që nxori lakuriq edhe njëherë mbështetësit e këtyre qarqeve. Një shërbim special është bërë edhe nga mediat e mbështetura nga Vatikani dhe vende të ndryshme të Europës, të cilat harrojnë turpin e tyre të ndodhur në Spanjë dhe sillen ashiqare me dy standarde.

Aq edhe më keq, e gjitha kjo nxori edhe njëherë në pah fytyrën e vërtetë të disa mediave dhe analistëve mediokër të cilët hanë bukën e “turkut dhe bëjnë duanë e kaurit”, pra përfitojnë miliona nga reklamat e kompanive turke dhe ngrenë kokat e strukura për t’iu lëpirë milionave të tjera që marrin nën dorë nga vendet e huaja…

Shpesh herë duhet të ndodhë diçka e madhe për të kuptuar se nga i vjen uji mullirit pasi shqiptarët duket se janë në gjumë letargjik kur mendon se kujt i besojnë dhe me informacionin e cilit hedhin këmbën!

Mjafton vetëm kaq të thuhet për këtë çështje? Patjetër që jo… Hanxhari më i rëndë por që pritej erdhi nga disa qarqe që vetes i thonë “muslimanë”. Për shembull si thoni nëse unë them që: Vetëm për hir të armiqësisë ndaj Turqisë shumë pseudomuslimanë dolën kundër rikthimit në identitet të Shën Sofisë? Nuk ja vlen të përmenden emra pasi të gjithë janë sheshit. Mjafton të lexoni kush shkruan kundër dhe kuptoni se nga i vjen uji mullirit!