YTB organizon iftar në Tiranë

Kryesia e Turqve të Jashtë dhe Komuniteteve Mike (YTB) në bashkëpunim me Shoqatën e të Diplomuarve në Turqi (TUMED) si dhe nën kujdesin e Ambasadës Turke në Shqipëri shtruan iftar në ambientet e një hoteli në Tiranë, raporton Anadolu Agency (AA).

Në iftar morën pjesë deputetë të Kuvendit të Shqipërisë, Ambasadori i Turqisë në Tiranë, Murat Ahmet Yörük, përfaqësues të YTB-së, si dhe zyrtarë të lartë të pushtetit qendror e atij lokal në vend.

Në fjalën e tij ambasadori Yörük tha se Turqia është shndërruar tashmë në një vend tërheqës dhe admirues në fushën e arsimit jo vetëm në aspektin rajonal, por edhe më gjerë.

“Pasi erdha në Shqipëri, pashë se ka shumë shqiptarë që janë diplomuar në Turqi dhe këta të diplomuar kanë ardhur tashmë nëpër pozicione të rëndësishme në vend. Shumë nga këta të diplomuar nuk kanë informacion për një shoqatë ekzistuese të të diplomuarve në Turqi. Ftoj të gjithë të diplomuarit shqiptarë në Turqi të vijnë e të bëhen anëtarë të kësaj shoqata”, shtoi ai.

Përfaqësuesi i YTB-së, Emrullah Bülbül tha: “Ju sjell përshëndetjet e përzemërta të kryetarit të YTB-së Abdullah Eren”.

Bülbül shtoi se vetëm këtë vit YTB ka patur 145 mijë aplikime për studime me bursë nga 160 vende të botës.

“Lutem që punët e Shoqatës së të diplomuarve të ecin me ritme të kënaqshme”, përfundoi ai.

Ndërsa kryetari i Shoqatës së të Diplomuarve në Turqi, Egert Haxhiu u shpreh: “Ramazani është një muaj i begatë i cili në vetvete mbart kuptime si dhurim, unitet dhe bashkim”. “Me shpresën që ky unitet dhe bashkim do të mbartet edhe në të ardhmen ju uroj Ramazan të mbarë dhe i lutem Zotit që t’i pranojë adhurimet tuaja”, shtoi ai. 

Shteti turk çdo vit ofron bursa studimi të plota në të gjitha nivelet dhe pothuajse në të gjitha lëmitë për studentët shqiptarë. Deri tani mbi tre mijë shqiptarë janë diplomuar në një nga institucionet arsimore turke si dhe janë me qindra studentë që aktualisht ndjekin studimet e tyre në Turqi.