Autor i vrasjes së Mariglen Gjonajt rezulton të jetë Kristjan Cenaj. Në një deklaratë për shtyp, Policia e Lezhës bëri me dije se hetimet kanë dalë në përfundimin se Cenaj, 30 vjeç, ka dhunuar me qëllim për ta grabitur 16-vjeçarin Mariglen Gjonaj, në vitin 2015. Sipas Policisë së Lezhës, Cenaj ka pasur si synim grabitjen e orës “Rolex” dhe varësen e floririt që kishte Gjonaj të vendosur në atë kohë, kur ishte nisur për ekskursion me shokët e klasës.
“Në vijim të veprimeve hetimore ka rezultuar së më datë 03.04.2022, në vendin e quajtur “Shëllinx”, në afërsi të Hidrovorit, në fshatin Adriatik, Njësia Administrative Fushë Kuqe, Kurbin, u gjetën eshtra dhe mbetje kockore humane, të cilat pas ekspertimit biologjik, rezultoi se i përkisnin shtetasit të zhdukur 7 vjet më parë, të miturit 16-vjeçar Mareglen Gjonaj. Pas rifillimit të hetimeve nga Prokuroria e Rrethit Gjyqësor Kurbin, strukturat e hetimit të DVP Lezhë, duke angazhuar ekspertët më të mirë, si dhe duke përdorur metodat speciale të hetimit, nëpërmjet kryerjes së veprimeve të shumta hetimore, marrjes së dëshmive, ballafaqimeve, si dhe analizës së tabulateve dhe qelizave telefonike, në interes të këtij hetimi, kanë bërë të mundur identifikimin e autorit të ngjarjes, shtetasit Kristjan Cenaj, 30 vjeç, lindur në Mamurras dhe banues në Ferrë Trashë, Kurbin. Në këto rrethana, më datë 10.10.2022 është bërë ndalimi i shtetasit Kristian Cenaj, i datëlindjes 10.12.1992, lindur dhe banues në Mamurras, Kurbin, për veprën penale “Vjedhja me pasojë vdekjen”, parashikuar nga neni 141 i Kodit Penal,”- thuhet në deklaratën e policisë.
Gjonaj ishte një nxënës i klasës së 10-të në Gjimnazin e Mamurrasit kur në vitin 2015 për një ekskursion me shkollën me mjetin e të vëllait, por nuk u kthye më. Ndryshe nga herët e tjera atë ditë nuk kishte telefon me vete, por orën dhe varësen që kapnin një vlerë prej 10 milionë lekësh të vjetra.
Ishte nëna e tij, ajo që dha e para alarmin duke kërkuar të birin, të cilin fillimisht e kishin kërkuar me të gjithë të afërmit e familjes, më pas ishin dorëzuar duke e denoncuar në Polici. Eshtrat e Gjonajt u gjetën më 3 prill të këtij viti, 7 vite pas zhdukjes së tij në Fushë Kuqe të Kurbinit. Pas hetimeve, ekspertët mjekoligjorë dolën në përfundimin se 16-vjeçari ishte keqtrajtuar e goditur me sende të forta para se të vritej. Kjo pasi në kocka, kryesisht në pjesën e kafkës janë konstatuar shenja të shkaktuara nga të goditurat.


