Nga Redi Shehu
Në rrugëtimin e vështirë të kësaj jete, secili prej nesh është bërë pjesë e një rrugëtimi po ashtu të vështirë i cili të çon në portat e jetës së përtejme, në të ashtuquajturën varrezë. Çdo qytet ka në dyert e veta periferike në një tokë e cila shpesh karakterizohet nga gjelbërime të thukta, ndryshe nga shterpësia e qyteteve, tokë e cila në formë sistematike ka të renditura varret e banorëve të saj që pasi kanë konsumuar verdiktin hyjnor për të jetuar në vendbanimet e kësaj bote mbartur plot me specifika, sprova, telashe e kënaqësi indivuale, më në fund kthehen të dorëzuar në destinacionin e pashmangshëm për secilin prej nesh.
Eksperienca e vizitës së varrezave, e cila fatkeqësisht është bërë një ritual që merr jetë vetëm kur një nga anëtarët e shoqërisë largohet nga bashkësia e të gjallëve, do të duhej të ishte një moment shumë i veçantë ku meditimi dhe ndrydhja në vetvehte të ishin ciceroni i cili do të komentonte pasazhet e pafund të jetëve të konsumuara manifestuar në një paradë rreshtore pllakash memeri. Një vizitë e cila do të duhej të shoqërohej nga një heshtje solemne ku gjuha e natyrës shprehur në cicërima zogjsh apo puhiza ajri shtegëtuese permes degësh anekënd të pranishme, të mbushte kraharorët e zgavruar nga smogu dhe kakofonia qytetëse. Një përjetim imagjinar i një prehjeje e cila shtrihet jo larg këmbëve të tua do të duhej ta shoqëronte vizitorin e bombarduar nga pikëpyetje ekzistencialiste dhe indentitare, ankthe e pasiguri mbi një ardhmëri e cila edhe pse pashmangshmërisht kishte një destinacion të qartë, përsëri qëndron e luhatur në mendje mes lajkave e lojarave tinzare të asaj jete mashtruese që gjallonte atje tej, larg rrethimit të “banorëve të heshtur” të qytetit.
Por nuk është e thënë aspak të jetë kështu në këtë realitetin tonë të kundërkahshëm. Hyrja në qytezën e “banorëve të heshtur” përbën një eksperiencë edhe më stresuese se ajo e një ditë zhurmëndjellëse të zakonshme. Një industri e tërë mermeri e pllakash, gurësh e sharrash, një show-room i një look-u të ri i cili të pret menjëherë sapo të lash hesapet më këtë dynja, shpërfaqet në forma panairi sapo këmba jote shkel në atë që do të duhej të ishte kufiri mes dy botëve. Nga pritshmëria e një toke ku s’bëzan kush, përpara teje shtrihet ushtria e luleve fallso të një “parade maji” me një togë senkserësh që me oferta kërshëritëse të thithin drejt ngjyrave të pafund. Lule të bëra prej çdo gjëje përveç lulesh të ofrohen si për të konfirmuar shpesh atë ndjenjë përndjekëse falsiteti.
Zhurmë e madhe në një copëz tokë banorët e së cilës dukej se kishin shkëputur lidhjet me të por që ishin të dënuar të shijonin epshet dhe egon e të gjallëve. Pas atij introduksioni dhe pasarele ku secili ishte i forcuar ta përjetonte, me qivure e emblema, statuja e foto porcelani, me designer të arsimuar diku në një botë informale e cila duhej të shtrihej përtej askundit, anash hyrjeve të varrezave pa e çarë kokën për krizën globale, shtrihej industria e suksesshme e zbukurimit të të vdekurve për hir të të gjallëve. Një industri me punëtorë të divorcuar nga Zyra e Punës që edhe pse çdo minutë e kalojnë në prani të të vdekurve, janë më të gjallë se të gjallët.
Më pas shtrihet një qytet në miniaturë ku diferencimi i të gjallëve ka diferencuar edhe të vekurit. Varre që lartësohen në proporcion të drejtë me krekosjen, parcela me varre-vila me “pamje nga deti” me projeksion për një pishine të ardhshme, mbulesa për mbrojtje nga shiu të cilave u mungon aparatura e ngrohjes solare, mermere me lloj lloj ngjyrash e damarësh tekanjozë që përdridhen faqoreve nën gërmat e arta të thënieve gati profetike mbi bëmat e të vdekurve. Kjo “jetë” prej pasanikësh ngarkuar me pasuri të patundshme varresh milionere (pa dokumentin hipotekor) është materializimi i një ëndrre të parealizuar sa qenë gjallë përgjatë një mbijetese ndoshta të përvuajtur, por që tashmë u ishte kthyer atyre si bonus i një respekti prej kohësh të munguar.
Në këto Beverly –Sharra (Tufina)- Hills kupton se respekti për të gjallët merr trajtë të plotë vetëm kur bëhesh i vdekur. Sheh ndoshta respekte të munguara ndaj nënave e baballarëve, motrave e vëllezërve, nipërve e mbesave të cilat në arrati përgjatë jetës së zhurmshme të banorëve të zhurmshëm të qytetit, ishin kthyer në investime “shfajsuese” që vezullonin verbim ndaj përshpirtshmërisë, përunjësisë dhe respektit.
Jo vetëm kaq, por atmosfera e ethshme e tregut, e bursës së vend-varrimeve merr jetë që në momentin kur një familjeje i bie damllaja e zisë dhe u duhet të luajnë rolin e broker-it në Wall-komunale-Street për të kapur me çmimin më të ulët të tregut vendin e fushimit të xhenazesë. Pas kësaj tender-a ofertash e shërbimesh gurgullojnë nga çdo anë për të kompletuar make-up-in e radhës, arkivole me dru qershie, arre, bajameje e shege, frigoriferë me ngrije të klimatizuar dixhitale e cila nuk dëmton “shëndetin” e të vdekurit, makina funerale luksi me sisteme parkimi të automatizuar dhe me interier inoksi, një proçedurë me pesë yje për një lamtumirë përfundimtare drejt një vend-fushimi luksi me kollona mermeri. Një sipërmarrje e cila për nga kostoja vdes të gjallët dhe ngjall të vdekurit.
Në një vend si varrezat ku lidhja me botën aktuale do të duhej të ishte më e zbehta dhe ku meditimi mbi të përtejmen do të duhej të mbivlerësohej, materializimi i skajshëm i tyre e ka transformuar këtë vend në një parking stresi si për të gjallët ashtu edhe për të vdekurit. Kjo arkitekturë e nefsit ndërtuar mbi trupa tashmë të pafuqishëm, rrezikon të shëmbet mbi përceptimin e atyre që prehjen në vetmi të të të larguarve nga kjo botë dhe dëshirës së tyre për një vetmi me Zotin e tyre, e kanë shndërruar në panairin më të madh të fodullëkut, karshillëkut dhe injorancës.



