Zbulohet dokumenti i Metës për ambasadorët që prodhoi reagimin e fortë të Yuri Kim

Dje presidenti llir Meta zhvilloi një takim me ambasadorët e vendeve të BE nga ku u ka dhënë dokumentin që gjeni më poshtë në foto

Disa nga çështjet që preken në draftin e Presidentit e përgatitur para shembjes së Teatrit Kombëtar janë Reforma zgjedhore, KED, paketa anti shpifje etj,

Meta kërkon që Këshilli Politik të jetë fuqiplotë në vendimmarrje dhe që partitë të përfundojnë Reformën Zgjedhore.

Në draft thuhet që KED duhet të vazhdojë funksionimin, ndërkohë që Presidentit Meta kërkon që kreu i KED të largohet nga detyra. Po kështu Meta, kërkon që Parlamenti të tërhiqet nga Paketa ‘Anti-shpifje’.

Në pikat e përmendura është edhe heqja e iniciativës së parlamentit për të ndryshuar formatin e betimit të anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese pas precedentit të krijuar me Arta Vorpsin, e cila u refuzuar nga Meta të bënte besimin dhe iu drejtua një noteri. Kjo solli një përplasje të fortë politike mes qeverisë dhe Presidencës, duke shkaktuar edhe një tubim më 2 mars, ku Ilir Meta kërcënoi se nëse parlamenti nuk tërhiqet nga kjo nisëm do ta shpërndajë atë.

Ndërkohë dje ambasadorja e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Tiranë Yuri Kim bëri një reagim të fortë në Twitter ku shprehu nje shqetësim publik për fatin e reformës në drejtësi.

“Shpresoj se fjalët për një marrëveshje prapa krahëve për të vrarë reformën në drejtësi në Shqipëri të mos jenë të vërteta”, deklaroi ambasadorja, ndërsa nuk specifikohen zërat të cilave i referohet ky reagim. “Reforma është e dhimbshme e ngadaltë, jo perfekte, por është e nevojshme, po bën përparim dhe duhet të vazhdojë”, deklaroi Yuri Kim, e cila këto ditë ka qenë e angazhuar në takime të njëpasnjëshme me aktorët kyç të politikës në vend.

14 pikat e platformës

1- Mazhoranca dhe opozita (parlamentare dhe jo-parlamentare) duhet të përfundojnë me vendosmëri Reformën Zgjedhore, sipas rekomandimeve të OSBE/ODIHR dhe konkluzioneve të Këshillit Europian për Çështjet e Përgjithshme.

2- Këshilli i Emërimeve në Drejtësi duhet të vazhdojë funksionimin, duke përfshirë ndryshimin e akteve nënligjore të tij, në përputhje me rekomandimet e Komisionit të Venecias në draft-opinionin e 6 marsit. Për tre vendet e lira (2 nga Presidenti dhe 1 nga Parlamenti), KED duhet të paraqesë listat e kandidatëve për secilin institucion sipas sekuencës kushtetuese: Presidenti – Parlamenti – Presidenti

3- Këshilli i Emërimeve në Drejtësi duhet të pajtohet me pjesëmarrjen e Avokatit të Popullit në të gjithë veprimtarinë e tij dhe diskutimet, në përputhje me Kushtetutën dhe Ligjin.

4- Mandati i Kryetarit aktual të Këshillit të Emërimeve në Drejtësi përfundon me emërimin e tre gjykatësve të Gjykatës së Lartë. Kryetari aktual i KED humbet menjëherë të gjitha të drejtat për të vazhduar ushtrimin e mandatit të tij, me vonesë të gjatë, si anëtar i Gjykatës së Lartë, dhe për pasojë si Kryetar i KED.

5- Këshilli i emërimeve në drejtësi vazhdon të funksionojë sipas ligjit, kryesohet nga Nënkryetari.

6- Parlamenti Shqiptar merret menjëherë me çdo boshllëk ligjor, në mënyrë që Presidenti dhe Parlamenti të plotësojnë vendet e mbetura bosh në KED brenda 1 viti kalendarik.

7- Parlamenti Shqiptar tërhiqet nga çdo iniciativë ligjore që ndryshon formatin dhe procedurën e betimit në detyrë të anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese dhe anëtarët e tjerë të lartë të sistemit gjyqësor.

8- Parlamenti Shqiptar tërhiqet nga “Paketa Anti-shpifje” dhe nga çdo nismë e ngjashme ligjore në të ardhmen.

9- Çdo ndryshim ligjor ose kushtetues që lidhet me reforma gjyqësore duhet të bëhet vetëm përmes konsensusit unanim të Këshillit Politik.

10- Në kuadrin e Këshillit Politik, partitë bien dakord brenda qershorit për të emëruar Shef-Negociator për anëtarësimin në BE, një ekspert të nivelit të lartë, integriteti, besueshmëria dhe profesionalizmi i të cilit është i pajtueshëm nga të gjitha palët.

11- Të gjithë gjyqtarët e Gjykatës së Lartë emërohen në përputhje me dispozitat kushtetuese dhe ligjore, dhe sa më shpejt të jetë e mundur.

12- Këshilli i Lartë Gjyqësor, Këshilli i Lartë i Prokurorisë miraton menjëherë hartën e re gjyqësore për rishpërndarjen e burimeve njerëzore brenda sistemit të Gjykatës së Apelit dhe Gjykatat e Shkallës së Parë, dhe vazhdohet me plotësimin e vendeve bosh të krijuara nga dorëheqjet ose vettingu.

13- Këshilli i Lartë Gjyqësor duhet të përcaktojë parësore mbingarkesën e Gjykatës Administrative të Apelit, dhe të propozojë masat e nevojshme që lejon një proces të rregullt brenda afatit kohor (1 muaj) në këtë Gjykatë.

14- Parlamenti Shqiptar duhet të shqyrtojë pa interes politik, kandidatët e propozuar nga Presidenti i Republikës për Kryetarin e Kontrollit të Lartë të Shtetit.