Zjarret në vend/ 26 vatra aktive, terreni i vështirë pengon fikjen

Ekipet zjarrfikëse kanë punuar gjatë gjithë natës duke bërë të mundur shuarjen e pothuajse disa prej tyre por ka shumë të tjera që janë në zonë të vështira dhe të reja janë ndezur edhe gjatë  kësaj të hëne.

Ka vazhduar gjatë gjithë natës zjarri në malin e Kostenjës në Librazhd, i cili është vënë në kontroll vetëm pas disa orësh.

Sipërfaqja e djegur është e konsiderueshme ndërsa Bashkia e Librazhdit sot ka bërë denoncimin në polici për zjarrvënie të qëllimshme. Në Njesinë Administrative Milot të bashkisë Kurbin, ka një vatër të gjerë zjarri në rajonin Skuraj – Mal Bardhë.

Për shkak të erës së fortë, temperaturave të larta, zjarri është përhapur shumë . Terreni është mjaft i thyer dhe nuk mund të ndërhyhet me zjarrfikëse.

Situata në vatrën e zjarrit në fshatin Bukmire në Rreshen është normalizuar por  nga zjarri janë djegur dhe sipërfaqe vreshtë rrushi dhe ullishte.  Disa vatra zjarri ka edhe në periferi të Tiranës .Në fshatin Gjysulkanë,  ka rënë një zjarr masiv në zonën pyjore të këtij fshati i cili rrezikon edhe banesat.

Janë duke u përpjekur për shuarjen  e vatrave  forcat e Bashkisë Tiranë të mbështetura nga Forcat e Armatosura dhe banorë të zonës. Po kështu forcat zjarrfikëse janë angazhuar në shuarjen e vatrave të aktivizuara në zonën e Shkodrës pasi  është aktiv zjarri në vendine quajtur Bjeshka e Bregut dhe në fshatin Postribe. Pyjet vijonë të digjen edhe në bashkinë e Matit në vendin e quajtur Mali i Toles  në fshatin Lam i Madh.

Në Bashkinë Durrës që prej tre ditësh vijojnë të digjen pyjet në zonën e Kepit të Rodonit në fshatin Shetaj, forcat zjarrfikëse kanë mberritur atje  por nuk po arrijnë të shuajnë të gjithë vatrat. E njëjta situatë është në fshatin Zeze të bashkisë Kruje  ku  një natë më parë flakët  që po përhapeshin rrezikuan edhe banesat. Në shuarjen e tyre kanë mbërritur forca zjarrfikëse nga Tirana ,Kamza Vora të mbështetur edhe nga dy zjarrfikëse të Forcave të armatosura.

Ndërsa në Bashkine Kurbin për vënien në kontroll të flakëve në vatrat e ndezura atje është ndërhyre edhe me helikopter për të bërë të mundur izolimin vatrës dhe vënien në kontroll të situatës. Në shuarjen e zjarreve në vend janë angazhuar afro 600 forca operacionale. Ndërkohë 49 mjete zjarrfikëse janë në terren për të mundësuar shuarjen e zjarreve nëpër pyje të cilat  kanë shkaktuar dëme të konsiderueshme.