Zv/kryeministri i parë i Maqedonisë së Veriut pritet nga krerët institucional dhe partiakë në Kosovë

Grubi u kërkoi përkrahje udhëheqësve të institucioneve dhe liderëve partiakë në Kosovë në procesin e regjistrimit të diasporës së Maqedonisë së Veriut

Krerë të institucioneve të larta dhe të partive politike në Kosovë kanë pritur zv/kryeministrin e parë të Maqedonisë së Veriut, Artan Grubi, i cili qëndron për vizitë në Prishtinë, raporton Anadolu Agency (AA).

Pas përfundimtit të takimit me ushtruesen e detyrës presidente e Kosovës, Vjosa Osmani, Grubi tha se e uroi atë për “fitoren e madhe në zgjedhjet e fundit parlamentare në Kosovë”.

“Kisha kënaqësinë e jashtëzakonshme të takoj zonjën Vjosa Osmani, ushtruese e detyrës së Presidentes së Kosovës dhe ta uroj për fitoren e madhe në zgjedhjet e parakohshme parlamentare në Kosvoë. Fitore kjo spektakulare, me përfshirjen e madhe të diasporës si dhe të kërkoj nga ajo që këtë fitore spektakolare ta përkthejë në një përkrahje për procesin e regjistrimit të diasporës shqiptare nga Maqedonia e Veriut, nëpërmjet një bashkëpunimi edhe me diasporën e Republikës së Kosovës në mërgatë. Me çrast ajo u zotua se do të kyçet në këtë proces duke dhënë mbështetje maksimale nga ana e saj”, theksoi Grubi, duke iu referuar procesit të vazhdueshëm të regjistrimit të popullsisë në Maqedoninë e Veriut.

Grubi theksoi gjithashtu se ka uruar formim sa më të shpejtë të institucioneve kosovare ne mënyrë që pa asnjë vonesë të vijohet me mbajtjen e mbledhjes së dy qeverive për t’i realizuar projektet e premtuara më herët, përfshirë rrugën Prizren-Tetovë, heqjen e kufirit në Bllacë midis dy vendeve, qendrën e përbashkët turistike në Brezovicë dhe në Kodrën e Diellit dhe një sërë marrëveshjesh bilaterale tjera.

Më herët, zv/kryeministri Grubi zhvilloi takime edhe me krerë të Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), si dhe Aleancës për Ardhmrinë e Kosovës (AAK).

Kreu i PDK-së, Enver Hoxhaj, pas takimit tha se me Grubin kanë diskutuar për dy çështje të rëndësishme për rajonin dhe shqiptarët, të cilat, siç thaai, janë procesi i regjistrimit të popullsisë në Maqedoninë e Veriut dhe organizimi i një mbledhjeje të përbashkët të dy qeverive.

Hoxhaj ka bërë thirrje që e gjithë diaspora shqiptare nga Ballkani ta mbështesë procesin e regjistrimit në shtetin fqinj, sepse sipas tij, “ky nuk është një proces teknik, por është një proces shumë i rëndësishëm politik që ka të bëjë me të ardhmen e shqiptarëve të këtij shteti”.

Ndërsa Grubi theksoi se Enver Hoxhaj është mik shumë i madh i shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut, si dhe e ka ftuar atë që t’i bashkërendojnë aktivitetet për procesin e regjistrimit civil dhe aktivitetet tjera me diasporën, ashtu sikurse në të kaluarën.

Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, po ashtu ka pritur Grubin në zyrat e partisë i shoqëruar nga bashkëpartiakë dhe ambasadorja e Maqedonisë së Veriut në Kosovë, Shpresa Jusufi.

Abdixhiku tha se me Grubin diskutuan për marrëdhëniet e shqiptarëve të të dyja vendeve, derisa u ka bërë thirrje strukturave të LDK-së në diasporë që të ndihmojnë në regjistrimin e popullsisë shqiptare në Maqedoninë e Veriut.

“Njëra prej shtyllave të platformës sonë politike është bashkëpunimi me partitë shqiptare në rajon dhe ky bashkëpunim është jo vetëm origjinal dhe tradicional, por edhe i domosdoshëm për marrëdhëniet tona në të ardhmen”, tha Abdixhiku.

Zv/kryeministri Grubi falënderoi mbështetjen e garantuar nga Abdixhiku me strukturat e LDK-së, si dhe theksoi se “të drejtat politike të shqiptarëve varen nga ky regjistrim”.

Regjistrimin e shqiptarëve në Maqedoninë e ka përkrahur edhe kreu i AAK-së, Ramush Haradinaj, i cili theksoi se me këtë proces shqiptarët do ta “ndihmojnë veten, do t’i ndihmojnë familjet e tyre, do ta ndihmojnë atdheun e tyre, si dhe gjithë rajonin”.

Në Maqedoninë e Veriut nga 1 marsi ka filluar regjistrimi i popullsisë përkatësisht i personave që aktualisht jetojnë jashtë vendit, diplomatëve, ata që janë në vuajtjen e dënimit dhe personave të pastrehë, ndërsa ky proces do të zgjasë deri më 21 prill.