Anëtarësimi i Shqipërisë në Bashkimin Europian, mbetet një çështje prioritare për vendet anëtare të unionin. Kështu u shpreh të hënën, Sekretari Parlamentar i Shtetit, në Ministrinë e Brendshme Federale Gjerman, Stefan Mayer gjatë një takimi të zhvilluar në Berlin me ministren e Drejtësisë të Shqipërisë, Etilda Gjonaj, e cila ndodhet në Gjermani për një vizitë zyrtare.
Mayer u shpreh se qeveria gjermane do të vazhdojë të mbishtesë Shqipërinë me anë të projektit të Binjakëzimit për të rritur më tej njohjen dhe perceptimin e publikut ndaj masave të marra në luftën kundër korrupsionit. Ai vlerësoi si të rëndësishme krahas forcimit të shtetit ligjor, edhe zhvillimin e ekonomisë, duke përgëzuar Shqipërinë për rritjen ekonomike konstatuar edhe përgjatë vizitës së tij më të fundit në Tiranë në tetorin e vitit të kaluar. Nga ana e tij, Mayer shprehu bindjen se anëtarësimi i Shqipërisë në Bashkimin Europian, mbetet një çështje prioritare për shtetet e BE-së, veçanërisht për Gjermaninë. Gjithashtu Mayer vlerësoi rezultatet e arritura nga procesi i reformave të ndërmarra në Shqipëri dhe inkurajoi më tej procesin e vetadministrimit të prokurorive dhe gjykatave. “Vlerësoj arritjet dhe përpjekjet e ndërmarra nga Shqipëria për forcimin e shtetit ligjor, të rëndësishme në këtë periudhe kohore për anëtarësimin e Shqipërisë në Bashkimin Europian”, theksoi Mayer.
Ministrja Gjonaj e informoi Mayer mbi ecurinë e zbatimit të Planit të Masave të Strategjisë Kombëtare Antikorrupsion, si dhe rezultatet konkrete të deritanishme të arritura nëpërmjet Task Forcës Antikorrupsion, si një mekanizëm ndërinstitucional i ngritur nga Qeveria Shqiptare, për luftën kundër korrupsionit, duke marrë edhe sigurinë dhe mbështetjen nga ana e Gjermanisë në këto fusha.
Gjatë vizitës së saj në Gjermani, ministrja Gjonaj u prit në një takim edhe nga ministrja e Drejtësisë dhe Mbrojtjes së Konsumatorit, Katarina Barley dhe Sekretari Parlamentar i Shtetit në Ministrinë e Drejtësisë, Christian Lange.
Promovimi dhe prezantimi i arritjeve të Shqipërisë, veçanërisht për Reformën në Drejtësi, ishin fokusi kryesor i vizitës. Në fjalën e saj, Gjonaj, paraqiti arritjet dhe ecurinë e deritanishme të Shqipërisë, sa i përket Reformës në Drejtësi, ngritjen dhe funksionimin e organeve të reja, duke theksuar sfidën e zgjedhjes të SPAK, si një strukturë e rëndësishme në luftën efektive kundër korrupsionit.
Në këtë takim që ministrja Gjonaj zhvilloi me homologen e saj, Barley dhe Lange shtoi se tashmë Reforma në Drejtësi nuk ka më kthim mbrapa dhe duhet të çohet deri në fund, pasi është e rëndësishme që Shqipëria të jetë një vend sa më i sigurt dhe me stabilitet.
Në vijim, Gjonaj e njohu ministren federale gjermane Barley edhe me reformimin e sistemit penitenciar, si një nga prioritetet kryesore të Ministrisë së Drejtësisë dhe hapat që po ndiqen në forcimin e sigurisë në burgje, në uljen e korrupsionit dhe në garantimin dhe mbrojtjen e të drejtave të të dënuarve në institucionet penale.
Ministrja e Drejtësisë, Barley nga ana e saj theksoi se Reforma në Drejtësi është një shembull pozitiv dhe është pritur shumë mirë në Gjermani si dhe në vendet e tjera të BE-së. “Shqipëria duhet të vazhdojë në rrugën e reformave”, citoi Barley.
Gjatë vizitës së saj, Gjonaj u shoqërua nga Kryetari i Këshillit të Lartë të Prokurorisë, Genti Ibrahimi dhe Kryetarja e Këshillit të Lartë Gjyqësor, Naureda Llagami.
Kryetarët e të dy këshillave, KLP dhe KLGJ, të cilët paraqitën mënyrën e funksionimit të dy institucioneve të reja të drejtësisë dhe informuan mbi rezultatet konkrete të arritura deri tani nga këto organe, në mbështetje të Reformës në Drejtësi në krijimin e një sistemi gjyqësor të paanshëm dhe të pavarur.
Në përfundim të takimeve të ditës së sotme ministrja e Drejtësisë, Gjonaj, falenderoi nga ana e saj bashkëbiseduesit Barley, Lange dhe Mayer, për mbështetjen që Gjermania i ka dhënë Shqipërisë në hapjen e negociatave dhe procesin e integrimit në Bashkimin Europian.


