Rrëmbimi i Jan Prengës/ SPAK dërgon për gjykim çështjen, pushon akuzën për 5 të dyshuar

Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka kërkuar pranë Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar dërgimin për gjykim të një prej çështjeve kriminale në vend, atë të rrëmbimit të Jan Prengës të ndodhur në 17 janar të një viti më parë.

Mbi të akuzuarit Dritan Rexhepi, Gentjan Funiqi, Martin Bleta, Korado Keshteja, Artan Doçaj, Aldo Majnishta dhe Geraldo Martini rëndojnë veprat penale “Rrëmbim apo mbajtje peng e personit”,  “Mbajtje pa leje e armëve luftarake”, “Fshehja dhe asgjësimi i kufomës”dhe “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale dhe grupi i strukturuar kriminal”.

Gjithashtu Prokuroria e Posaçme ka kërkuar pushimin e akuzës për personat nën hetim Bajram Hajri, Leonard Hajri, Elton Hajri, Aleks Doçaj dhe Ardian Doçaj, pasi nuk provohet që ata të kenë kryer veprat penale përkatëse.

Sipas hetimeve, Dritan Rexhepi, i cili aktualisht rezulton të jetë i burgosur në shtetin e Ekuadorit dhe Gentjan Funiqi (Doçaj) me precedent penal në fushën e narkotikëve, në fund të muajit dhjetor 2019 kanë urdhëruar rrëmbimin e viktimës, Jani Prenga, me banim në Kamëz.

Kjo, pasi Astrit Prenga, vëllai i viktimës vodhi një sasi kokaine në Portin Portsmouth të Anglisë, që u përkiste atyre, e cila ishte importuar nga Ekuadori në Angli.

Ky rrëmbim është urdhëruar prej tyre me qëllim që Astriti dhe personat e tjerë të kthenin lëndën narkotike.

Ndërsa organizimi i rrëmbimit është kryer nga Martin Bleta e Korado Keshteja, ekzekutimi i këtij rrëmbimi është kryer nga të pandehurit Artan Doçaj, Aldo Majnishta, Geraldo Martini dhe një person tjetër i paidentifikuar.

Ndërkohë hetimet vazhdojnë për mbledhjen e provave apo gjetjen e personat e tjerë që janë të përfshirë në këtë ngjarje.

Të akuzuarit për rrëmbimin e Prengës

Kush është Dritan Rexhepi, Gentian Doçi dhe Altin Hajri?

Dritan Rexhepi listohet në një nga emrat më të kërkuar nga INTERPOL edhe pse ai vuan dënimin në burgun e Kuitos në Ekuador mbi të cilin rëndojnë dhjetëra akuza teksa kërkohet edhe nga Belgjika.  Vlonjati kërkohet edhe në Shqipëri për një sërë ngjarjesh kriminale që nga droga e deri tek rrëmbimi.

Gentian Doçi është pjesë e një prej bandave të Shkodrës, atë të “Dukagjinasve”.  Altin Hajri është pronari i resortit “Golden” ku u mor peng Jak Prenga.

Jani Prenga me një grua në lokal

Momentet e fundit para se Prenga të rrëmbehej e më pas të vritej

Top Channel ka siguruar fotot para rrëmbimit të Jan Prengës, ku ky i fundit rreth orës 7:40 të mëngjesit të 17 janarit është së bashku me një grua në ambientet e një lokali. Ndërsa jashtë këtij lokali është një person që ruan lëvizjet që bënte Prenga. Nga fotot shihet se Jan Prenga ngrihet dhe largohet së bashku me gruan që pinte kafe me të, ndërsa ky ka qenë momenti i fundit që u pa në lagjen ku banonte, pasi më pas u rrëmbye në rrugën ‘London’ për t’u vrarë dhe më pas për t’u zhdukur.

Rrëmbyesit e transportuan nga Kamza me automjetin e vjedhur “Range Over”, në bodrumin e resortit “Golden”, nga ku më pas ai doli i pa jetë. Këto detaje dhe të dhëna i vërteton një kamera sigurie e këqyrur nga ekspertët e kriminalistikës, gjatë një hetimi intensiv. Gjithashtu ekspozoi një organizatë të njohur, bashkim i tre grupeve kriminale që vepron në fushën e trafikut të kokainës dhe që ka nisur veprimtarinë në Ekuador.