Nuk dorëzohen banorët e pallatit të dëmtuar nga tërmeti. Kërkojnë të ndalohet ndërtimi i ri pranë apartamenteve të tyre

Banorët e një pallati të dëmtuar nga tërmeti në zonën e plazhit, kanë protestuar sërish. Këtë herë para bashkisë së Durrësit, pasi gjykata e Durrësit u rrëzoi kërkesën për pezullimin e punimeve të një objekti 6-katësh që po ndërtohet pranë pallatit të tyre.

Banorët: “Ka 1,5 vjet që presim që dikush të interesohet për ne dhe vetëm mashtrime kemi pas.Nuk është interesuar askush. Interesohen vetëm për ato që po na hapin gropën që të na fundosin me gjithë pallat.”

“S’kemi besim te askush. Faleminderit mediave që na janë gjend pranë. Gjykata i dha të drejtë firmës dhe ne na nxorri në rrugë. Bashkia nuk ka marrë asnjë masë për këtë pallat.”

“Kishim dje seancën për pezullimin e punimeve dhe rishqyrtim të lejes, por zonja (gjyqtarja) mesa duket ka marrë lekët e pallati po dëmtohet akoma dhe më shumë nga punimet. Na e rrëzoi kërkesën pa asnjë arsyetim logjik se këtu ligji është vetëm leku. S’dimë cc’të bëjmë. Të paktën të vijnë ta shohin pallatin se të gjithë banorët janë kthyer e po jetojnë brenda.”

Të pashpresë nga mosreagimi i institucioneve, banorët kërkojnë siguri për jetën e tyre dhe të familjeve. Ndërprerja e bonusit të qirasë i ka kthyer në banesat e tyre në pallatin e dëmtuar rëndë nga tërmeti i 26 nëntorit. Pallati nuk është përfshirë ende në rikonstruksion, ndërsa, sipas tyre, ndërtimi i ri që po bëhet vijon ta dëmtojë më tej pallatin nga puna e mjeteve të rënda dhe të shtojë rrezikun për jetën brenda tij.