“Gërdeci”/ Mediu: Nuk do të kthehemi në kohën e drejtësisë popullore! Çështja nxitet vetëm në fushata elektorale

Fatmir Mediu ka dalë në një konferencë për mediat pas vendimit të Apelit të GJKKO, i cili i hapi rrugë rihetimit dhe rigjykimit të tij për çështjen e Gërdecit.

Mediu theksoi se ka kryer detyrën e tij si funksionar në atë kohë dhe thekson se nuk do të kthehen në kohën e drejtësisë popullore.

Nga ana tjetër thekson se dosja “Gërdeci” është e nxitur politikisht pasi përmendet vetëm në fushata elektorale. Sipas tij, çështja u hap gjatë fushatës dhe u la pas fushatës.

Mediu: Unë mendoj që vetë hetimi e ka provuar që Mediu nuk ka përgjegjësi me vendimin e VKM. MInistri është i detyruar të zbatojë vendimin. Në rast se nuk do të veproja me VKM, do të ishte shpërdorim detyre. Nga fakti që unë kam vepruar, besoj se kam bërë detyrën time si funksionar në atë kohë. Tërheqja ka qenë si akt moral në raport me atë që ka ndodhur. Dua t’ju them që çështja e gjykimit nuk është subjektive. Nuk mendoj se do kthehemi tek koha e drejtësisë popullore, por drejtësia në kodin e procedurës penale dhe çdo procedurë që niset me indicie paligjshmërie, nuk është drejtësi.

Ju mendoni që Mediu duhet të rrijë gjithmonë i proceduar? Nëse nuk do të kishte nisur SPAK në 2007 por në 2027, Mediu duhet të ishte i proceduar? Kam qenë 4 herë në Gjykatën e Lartë. Edhe kjo cështje është gjykuar në Tiranë dhe ka marrë formën e prerë në Gjykatën e Apelit por asnjëherë nuk i referohen këtij vendimi. Jam përpjekur të thellohem sa më shumë në ligjshmëri apo paligjshmëri. Fakti që kjo çështje është nxitur vetëm në fushata elektorale, tregon se ka interes politik. Fakti që u hap gjatë fushatës dhe u la pas mbarimit të fushatës, tregon se nuk ka lidhje me kodin e procedurës penale. Jam përpjekur të jem korrekt.