Shqiptari shpëtoi 6 vetë nga flakët, serbët marrin meritat: “Është heroi ynë”!

Një nga shtatë të mbijetuarit e tragjedisë në Bullgari, është Lulzim Sulejmani, shqiptar nga Presheva.

I riu nuk po flinte kur ndodhi aksidenti, ndaj pa gjithçka dhe qe në gjendje të reagonte më shpejt se të tjerët.

Ai arriti të thyente xhamin e të hidhej nga autobusi, duke tërhequr edhe të fejuarën e tij e madje ka ndihmuar dhe 5 persona të tjerë, pasi dyert e mjetit u bllokuan.

Veprimi i Lulzimit me kombësi shqiptare, por shtetësi serbe për shkak se është nga Lugina e Preshevës, është pasqyruar menjëherë në mediat e Serbisë si gjesti heroik “i një serbi”.

Gazeta Blic e nis shkrimin e saj mbi të me titullin “Një hero i vërtetë”, ndërsa në artikull theksohet sesi një shtetas serb, edhe psë i lënduar vetë, ndihmoi të shpëtonin 6 persona të tjerë nga aksidenti i tmerrshëm në Bullgari. Të riun e ka vizituar në spital edhe ambasadori serb në Sofje.

Ministria e jashtme serbe e përgëzoi Sulejmanin në Twitter dhe i uroi shërim të shpejtë.

Vetë i riu ka rrëfyer se shoferin e zuri gjumi, pas kësaj, mjeti goditi një trafikndarëse, i plasi goma e parme dhe mori flakë.

I gjithë autobusi u mbush me tym. Theva xhamin dhe u hodha matanë bashkë me të fejuarën dhe disa persona të tjerë. Në autobus dëgjoheshin shumë britma. Pastaj nuk e di çfarë ndodhi pasi fillova të ec dhe u largova të paktën 200 metra, sepse mendoja që do shpërthente. Fëmija më i vogël pranë nesh ishte 4 vjeç. Shkak i vetëm i aksidentit është përgjumja e shoferit. Po binte shi”, ka thënë i riu, i cituar nga mediat greke.