Dimri vjen me reshje të dendura shiu dhe dëbore

Reshjet e dendura të shiut dhe flokët e parë të dëborës kanë shkaktuar problematika në disa qarqe të Shqipërisë.

Durrësi, Tirana, Dibra, Shkodra dhe Elbasani kanë qenë disa nga pikat kryesore ku janë hasur vështirësi duke filluar nga qarkullimi deri te energjia elektrike.

Në Dibër është shembur Ura e Kacës dhe 10 familje kanë mbetur të izoluara. Lumi Erzen po mbahet në monitorim prej reshjeve të dendura në zonën e Sukthit. Lumi Vjosa në Urën e Mifolit po monitorohet gjithashtu.

Rruga e Arbrit dhe Qafë Muzina janë përballur me vështirësinë qarkullim, por ministria e Mbrojtjes ka deklaruar se situata po normalizohet.

Korrespondentja e Euronews Albania në Vlorë Ebrieta Maçaj raportoi se që dje nuk ka pasur më reshje të dendura shiu, por vetëm erë të fortë.

Ajo tha se prej shirave në Përmet dhe Leskovik, lumi Vjosa ka dalë nga shtrati. Dje niveli ka qenë 6m e 34 cm, ndërsa në këto momente është 6 m. Për fat të keq dje është përmbytur tregu i gjësë së gjallë në zonën e Novoselës. Emergjencat civile janë duke monitoruar situatën.

Ndërkohë, nuk ka pasur probleme me ankorimin e trageteve. Mjetet e peshkimit që prej 4 ditësh e kanë pasur të ndaluar të dalin në det, pritet që sot në orën 12, në varësi të motit të marrin leje për t’u rikthyer në aktivitet.

Sa i takon Llogarasë janë marrë masa që të jetë e kalueshme dhe nuk ka probleme për qarkullimin e automjeteve.

Në Korçë reshjet e borës kanë vijuar gjatë gjithë natës.

Korrespondenti i Euronews Albania në Korçë Xhensil Shkëmbi raportoi se trashësia e borës në Dardhë ka arritur 30 cm, ndërsa në Voskopojë 10 cm. 4 mjete nuk kanë mundur të vijojnë qarkullimin mbrëmë në këtë fshat.

Panariti me më shumë se 100 banorë është bllokuar. Bora ka arritur në 40 cm dhe për banorët e fshatit nuk është asgjë e re, duke qenë se ata izolohen gjithnjë në periudhën e dimrit për shkak të reshjeve të dendura të borës.

Të gjitha akset nacionale janë të hapura, ndërsa autoritetet rekomandojnë qarkullimin me zinxhirë.

60% e qytetit të Pogradecit dje ka qenë pa energji elektrike, por situata sot është e normalizuar.

Përtej problematikave, Korça mirëpret vizitorët që duan të shijojnë bukurinë e fshatrave turistikë dhe borës. Gazetari theksoi se fundjavat deri në dhjetor janë të gjitha të rezervuara.