BE-ja nis “ofensivën” ndaj Rusisë, shënjestra: grupi Vagner

Bashkimi Evropian po hidhet në veprim kundër Rusisë dhe ofensivën e tij, e nis me sanksione kundër grupin privat ushtarak rus, Vagner, për shkelje të të drejtave të njeriut në konflikte anembanë.

Ministrat e Jashtëm të bllokut pritet t`i japin dritën jeshile sanksioneve ndaj 8 individëve nga Grupi Vagner dhe tre të tjerë që lidhen me këtë grup.

Masat përfshijnë ndalimin e udhëtimeve, ngrirjen e të gjitha aseteve që individët në fjalë kanë në BE por, edhe një ndalim të bashkëpunimit me ta nga persona në Bashkimin Evropian.

Qeveritë perëndimore e kanë akuzuar shpesh Moskën për shfrytëzimin e Grupit Vagner si forcë paraushtarake në konflikte në Ukrainë, Libi, Siri, Sudan, Mozambik dhe Republikën Qendrore Afrikane. Rusia mohon lidhjet mes qeverisë dhe mercenarëve, shpesh duke e përshkruar këtë grup paramilitar si, këshilltarë apo trajnerë, pavarësisht dëshmive që tregojnë se pjesëtarë të tij janë përfshirë në operacione të ndryshme luftarake.

Ekspertët e Organizatës së Kombeve të Bashkuara po ashtu e kanë akuzuar Grupin Vagner për shkelje të të drejtave të njeriut bashkë me forcat qeveritare që luftojnë në Republikën Qendrore Afrikane Ky grup thuhet se ka në krye biznesmenin rus, Yevgeny Prigozhin, bashkëpunëtor i afërt i presidentit, Vladimir Putin.