Votat e 44 mijë demokratëve pa vlerë? Bardhi tregon si kryetari i degës së LSI dhe drejtori socialist votuan për ‘shkarkimin’ e Bashës

Sekretari i Përgjithshëm i PD, Gazment Bardhi ka folur për referendumin që u thirr nga Sali Berisha për shkarkimin e Lulzim Bashësduke thënë se nuk mund të vërtetohet nëse 44 mijë demokratët ishin demokratë, socialistë apo anëtarë të LSI.

Bardhi ka treguar rastin e një kryetari të degës së LSI në Fier që me kartën e anëtarësisë të PD të vitit 1992 ka votuar, por që në vitin 2009 është pjesë e strukturave të LSI. Nga ana tjetër tregon se një drejtor socialist që hoqi nga puna të gjithë demokratët kur mori postin e tij, shkoi të votonte për shkarkimin e kryetarit të PD.

Bardhi: Ju nuk e keni verifikuar nëse ishin demokratë, socialistë apo kryetarë të degëve të LSI. Mund t’jua vërtetoj se ka votuar kryetari i LSI në degën Divjakë dhe me kartën e ’92 ka shkuar për të përcaktuar kryetarin e PD. Sekretariati i partisë nuk ka pasur asnjë kërkesë për të marrë pjesë. Si rezulton që kryetarja e Bashkisë së Shkodrës shkon dhe nuk gjen në listë dhe del para kamerave e fajëson Lulzim Bashën. Se di askush, as si kanë votuar as kush ka votuar.

Jo kushdo që mban tester partie, ka të drejtën e votës. Nëse nga 2005 e tutje ke qenë pjesë e LSI dhe nuk voton për PD, e humb të drejtën. Duhet të marrësh pjesë rregullisht për të paktën 6 muajt e fundit, nëse nuk e bën këtë, nuk ke të drejtë vote, kështu thotë statuti. Një anëtar që është atje prej 30 vitesh nuk mund të votojë njësoj si dikush që ka qenë anëtar, por nga 2009 është kryetar apo anëtar i LSI. Mund të ketë shkuar tek PS, sic është rasti i dikujt tjetër në Divjakë. Një drejtor që hoqi nga puna të gjithë demokratët, ai të vendosë për PD? Të jemi të përgjegjshëm për opinionin publik.