Pas 48 orësh PD bën transparencën e delegatëve, Bardhi akuzon Berishën se ka marrë njerëz “borxh” nga Topalli dhe LSI

5004 delegatë të thirrur nga Lulzim Basha të shtunën morën pjesë në Kuvendin Kombëtar të 18 dhjetorit në sallën e Pallatit të Kongreseve, duke arritur një kuorum prej 65% për qind.

Pas 48 orësh, Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Demokratike Gazment Bardhi ka dalë për të publikuar emrat e të gjithë delegatëve që iu bashkuan Kuvendit të 18 dhjetorit. Ai lexoi fillimisht emrat e anëtarëve të Këshillit Kombëtar, për të vijuar më pas edhe me emrat e delegatëve.

Në fjalën e tij, Bardhi theksoi edhe pse nuk ka qenë një standard apo traditë e kësaj partie të publikojë emrat e pjesëmarrësve në Kuvend, sot për hir të transparencës është vendosur për ta bërë një gjë të tillë.

Unë fillimisht do të ndalem vetëm në listën e anëtarëve të Këshillit Kombëtar që kanë qenë prezent në mbledhje. Më pas, duke qenë se procesi i leximit e të gjitha emrave do të marrë shumë kohë, do t’ia kaloj fjalën për pyetje përfaqësuesve të medias që janë në këtë sallë, për të marrë sqarime për çështje që mund të kenë interes për ta dhe opinionin publik dhe më pas, do të kërkoja durimin e secilës prej mediave për të transmetuar në mënyrë të drejtpërdrejtë emrat që do të lexohen nga Sekretarja për Marrëdhëniet me Publikun, zonja Greta Bardeli”, tha ai.

Sipas tij, opinioni publik gjatë kësaj periudhe është mbushur me lajme të rreme, me sajesa dhe keqinformime të cilat kryesisht bëhen për të mbuluar arsyen kryesore të rrëmujës së krijuar në PD.

Sekretari i Përgjithshëm i PD-së akuzoi Sali Berishën se ka manipuluar me emrat e delegatëve në Kuvendin e 11 dhjetorit, duke theksuar se ka marrë kandidatë nga partia e Jozefina Topallit dhe LSI për të plotësuar numrat.

Ajo që kujtoj unë dhe që për fat të keq është harruar ditën kur u mbyllën firmat në kasafortën e Palokës, ishte se do lexoheshin emrat në Kuvend dhe do të bëhej një prezantim me prezencën e çdo pjesëmarrësi në tubimin e 11 dhjetorit. Kjo nuk ndodhi, por ndodhi për herë të parë në 31 vite që nuk u lejuan gazetarët, të cilët u nxorën jashtë”, tha Bardhi.

Në konferencën me gazetarët, Bardhi publikoi më zë dhe figurë një video të ish-kryeministrit Sali Berisha, i cili premtonte se gazetarët do të merrnin listat e delegatëve të nesërmen e 11 dhjetorit.

Ai transmetoi edhe dëshminë e një gazetari i cili theksonte se nuk u lejuan të hyjnë në stadium për të bërë transparencë.

Për të, gazetarët e kishin tepër të vështirë për të verifikuar nëse delegatët ishin demokratë, socialistë apo kryetarë të degëve të LSI-së. Në lidhje me këtë argument, Bardhi mori një rast, duke veçuar se kryetari i LSI-së në degën Divjakë dhe me kartën e anëtarësisë të vitit ’92 ka shkuar për të përcaktuar kryetarin e PD-së me datë 11 dhjetor.

Ai theksoi se jo kushdo që mban një testër partie ka të drejtën e votës.

Nëse nga 2005 e tutje ka qenë pjesë e LSI-së dhe nuk voton për PD, automatikisht personi e humb të drejtën për të qenë pjesë e PD-së. Sipas statutit duhet të marrësh pjesë rregullisht për të paktën gjashtë muajt e fundit, nëse nuk e bën këtë, nuk ke të drejtë vote”, tregoi Bardhi.

Megjithatë, në këtë konferencë me mediat, gazetarët kanë insistuar të merrnin një përgjigje nga Sekretari i Përgjithshëm i PD-së se ku ndodheshin 5004 delegatët, pasi sipas tyre, salla e mbledhjeve në Pallatin e Kongreseve ka rreth dy mijë karrige.

Një pyetjeje të tillë, Bardhi vendosi t’i përgjigjet fillimisht me tone ironike, duke theksuar se delegatëve të Partisë Demokratike nuk kishte pasur mundësinë t’u vendoste një GPS për të vijuar më pas me shpjegimin e pyetjes.

Çdo anëtar i Kuvendit Kombëtar që paraqitej në sallë, regjistrohej në komision dhe numri i pjesëmarrësve në mbledhje është numri i anëtarëve që janë regjistruar. Votat numërohen me votim të hapur, kush është kundër deklaron. Regjistrohen delegatët që marrin pjesë në mbledhje, ata kanë qenë të vendosur në të gjitha ambientet e Pallatit të Kongreseve dhe jo vetëm në sallën e mbledhjeve”, tha ai.

Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Demokratike, ndër të tjera, nënvizoi se Kuvendi Kombëtar i mbledhur të shtunën në Pallatin e Kongreseve ka miratuar një rezolutë të Këshillit Kombëtar të kësaj partie, e cilëson mbledhjen e Kuvendit të 11 dhjetorit të thirrur nga ish-kryeministri Sali Berisha si “të jashtëligjshme”. Sipas rezolutës vendimet janë nul dhe nuk kanë asnjë vlerë politike apo ligjore për PD.

Në këtë rezolutë thuhet se lëvizja Berisha i ngjan një organizate politike me frymëzim antiamerikan.

PD distancohet me forcë dhe dënon lëvizje të tilla që bien ndesh me përcaktimet identitare të saj, me interesat e demokratëve dhe të gjithë shqiptarëve, me marrëdhëniet strategjike jetike të Shqipërisë dhe Kombit shqiptar me SHBA”, thuhet ndër të tjera në rezolutë.

Kuvendi i 11 dhjetorit shkarkoi me 4 mijë e 446 vota si kryetar të partisë Lulzim Bashën. Ata vendosën që me 18 dhjetor, të mbahej një referendum për shkarkimin legjitim të Lulzim Bashës, në funksion të ndjekjes së të njëjtit parim “një anëtar, një votë”.

Referendumit iu përgjigjen 43 mijë e 879 anëtarë të PD-së nga ku 43 mijë e 385 votuan pro shkarkimit të Bashës. Me anë të këtyre shifrave, Berisha pretendon se Basha e ka marrë ndëshkimin nga anëtarësia e PD-së.

Sa i përket referendumit, Bardhi theksoi se, “nuk ka asnjë të dhënë kush ka votuar dhe si ka votuar”.

Më 18 dhjetor ka pasur vetëm një aktivitet politik të PD-së, Kuvendi Kombëtar. Te tjerat janë aktivitete private, që bëjnë listat e tyre, sipas dëshirës së tyre”, shtoi Bardhi.

“Përçarja” e demokratëve filloi pas vendimit të Bashës për përjashtimin e Berishës nga grupi parlamentar i PD-së. Ky vendim i kryedemokratit erdhi pasi Departamenti Amerikan i Shtetit e shpalli Berishën dhe familjen e tij si persona non-grata.