4 destinacione të reja fluturimesh nga Kukësi

Në Aeroportin e Kukësit kanë nisur kanë nisur sot fluturimet e kompanisë WizzAir drejt Austrisë, Gjermanisë dhe Zvicrës.

I pranishëm në një ceremoni të organizuar për nisjen e fluturimeve në aeroportin e Kukësit ishin krerë të shtetit, përfshi kryeministrin Edi Rama.

Ai tha se shumë shpejt do të shtohet dhe një linje e re me kosto të ulët nga Londra.
“Nga sot kompania është e vendosur edhe në Kukës dhe fillon me prenotimet për 4 destinacionet e para nga dy herë në javë, të cilat nga maji do të jenë destinacione të vijueshme, jo thjeshtë për sezonin”, tha Rama.

Ndërsa ministrja e Infrastrukturës Belinda Balluku u shpreh se ky aeroport ka marrë vlerësimin e sigurisë dhe nga NATO.

“Ky është një aeroport rajonal i cili mbulon nevojat e shqiptarëve të Shqipërisë, Kosovës e Maqedonisë së Veriut. Ne ndërkohë ka qenë një rastësi e lumtur dje që kemi marrë një konfirmim për këtë aeroport. Aeroporti i Kukësit tashmë është pjesë e certifikuar e logjistikës së NATO-s. Kjo tregon edhe një herë që në këtë aeroport plotësohen të gjitha kushtet e sigurisë teknike dhe gjitha kërkesat e sigurisë të vendosura nga Bashkimi Evropian dhe NATO”, tha Balluku.

Aeroporti i Kukësit ka një pistë prej 2200 metrash, ndërsa në zonën e parkimit është projektuar të qëndrojnë 3 avionë njëkohësisht.

Ky është aeroporti i dytë civil në Shqipëri pas atij të Rinasit.