43% e bizneseve të pajisur me certifikatë elektronike janë fiskalizuar

Nga 1 janari deri në fillim të muajit nëntor, rreth 43% e bizneseve të pajisur me certifikatë elektronike nga AKSHI janë fiskalizuar.

Në total sipas DPT janë fiskalizuar 45,513 subjekte ku 27,987 janë biznese të vogla dhe 17,526 biznese të mëdha. Deri në fillim të muajit tetor të pajisur me certifikata elektronike nga AKSHI ishin 74,000 subjekte dhe 7,000 të tjerë në pritje të aplikimit.

Për shkak të numrit të ulët të bizneseve të vogla të fiskalizuara, kontabilisti Sotiraq Dhamo pohon se është e pamundur që nga 1 janari 2022 procesi të nisë të zbatohet i plotë.

“Në këtë situatë Ministria e Financave dhe Ekonomisë dhe administrata tatimore duhet të zhvillojë një analizë për të kuptuar se cilat janë mundësitë për ta bërë procesin të plotë nga 1 janari 2022 ose në rast të kundërt duhet të marrin një vendim sesi do të veprohet këto 2 muaj. Nëse do të ketë vendim për shtyrje të fazës tranzitore nuk duhen të lihen për datën 1 apo 2 janar të vitit tjetër”.

Z.Dhamo rekomandon se nëse do të shtyhet fiskalizimi administrata tatimore do të pranojë këtë periudhë “rrëmujë” ose nëse do të duhet të zbatohet nga 1 janari 2022 për të gjitha bizneset duhet të kalojnë në penalitete tatimpaguesit, që nuk janë regjistruar.

“Nuk është ende e qartë nëse edhe platforma SelfCare do të funksionojë më të gjithë komponentët nga 1 janari 2022, pasi ka pasur shumë probleme teknike gjatë zbatimit të procesit. Nëse këto probleme nuk janë zgjidhur, atëherë përsëri do të ketë një tjetër arsye për heqjen e gjobave”.

Sakaq, sipas kontabilisti Sotiraq Dhamo numri i ulët i bizneseve të fiskalizuara vjen pasi një pjesë e madhe e tyre po presin 1 janarin 2022. “Nga konstatimet në shumë raste, sidomos bizneset e vogla, si marketet apo dyqanet ushqimore shprehen se kanë kohë të fiskalizohen deri më 1 janar. Pra, fakti që nuk vendosen gjoba, konsiderohet prej tyre si mosdetyrim për t’u fiskalizuar. Mosvendosja e gjobave, sipas aktit normativ nuk është për bizneset që nuk regjistrohen për fiskalizimin, por për ata që bëjnë gabime gjatë zbatimit të procesit. Ka edhe shumë biznese të vogla që pajisen me certifikatë nga AKSHI, por e shtyjnë afatin e pajisjes me zgjidhjet software, për shkak të kostove. Në kahun tjetër biznese të tjera kanë krijuar mentalitetin që procesi mund të shtyhet sërish”.

Një problem tjetër i procesit nga kontabilisti konsiderohen vonesat në pajisjen e subjekteve me certifikatë elektronike. Z. Dhamo pohon se këto vonesa mund të vendosin në vështirësi procesin në janar të 2022 kur do të ketë aplikime të reja.

“Është fakt që pajisja e bizneseve me certifikatë elektronike po vonon. Me një përllogaritje rezulton që nga 1 korriku 2021 kur nis zbatimin faza e dytë e fiskalizimit AKSHI ka lëshuar rreth 20,000 certifikata elektronike në muaj. Nga 1 janari nisin aplikimet për bizneset që iu përfundon afati vjetor i përdorimit të certifikatës. A ka AKSHI kapacitet për të furnizuar me certifikatë pjesën e mbetur të bizneseve dhe bizneset e tjera që do të aplikojnë për certifikatat e reja?”.

Procesi i fiskalizmit nisi më 1 janar 2021 fillimisht me bizneset e mëdha që kryejnë transaksione pa para në dorë me entet publike. Nga 1 korriku nisi faza për transaksionet pa para në dorë mes bizneseve. Në ditët e parë të fazës II biznese hasi probleme me bllokimin e portalit SelCare për shkak të mbingarkesës. Në këtë fazë pritej të fiskalizoheshin rreth 31 mijë subjekte. Kontabilistët paralajmërojnë se situata pritet të përsëritet kur të përfshihen në proces të gjitha subjektet. Faza III e procesit nisi nga 1 shtatori me përfshirjen e bizneseve të vogla./D.Azo