43% e të punësuarve në vend marrin deri në 330 euro në muaj

Zbrazja e vendit nga emigracioni i lartë i të rinjve po nxit bizneset të aplikojnë rritje të pagave, por përfitimet po gërryhen nga inflacioni, i cili shpesh është më i lartë se rritja e pagave në disa sektorë. Sipas të dhënave zyrtare të INSTAT në tremujorin e dytë të këtij viti, 43 për qind e…

Zbrazja e vendit nga emigracioni i lartë i të rinjve po nxit bizneset të aplikojnë rritje të pagave, por përfitimet po gërryhen nga inflacioni, i cili shpesh është më i lartë se rritja e pagave në disa sektorë.

Sipas të dhënave zyrtare të INSTAT në tremujorin e dytë të këtij viti, 43 për qind e të punësuarve në vend me sigurimeve shoqërore kishin pagë mujore deri në 40,000 lekë (330 euro).

Gati gjysma e të punësuarve në vend, zyrtarisht marrin një pagë që është më afër pagës minimale. Paga minimale aktualisht është 32 mijë lekë në muaj ndërsa qeveria ka lajmëruar rritjen e mëtejshme të saj në 34 mijë lekë.

Shpërndarja e të punësuarve sipas kategorisë së pagës tregon se, në tremujorin e dytë kishte një tendencë të rritjes së kategorive me paga më të larta. Psh punonjësit më paga nga 40,000 -50,000 mijë lekë zunë 14% të totalit, nga 13.6 % që ishin në tremujorin e parë.

Personat me paga nga 50,000-60,000 zunë 8.8 % të totalit të punonjësve me sigurime nga 8.7% që ishin në tremujorin e parë.

Kategoria e punonjësve me pagë 60,000-70,000 lekë zuri 23.8 për qind të totalit të punonjësve me sigurime nga 23.5 % që ishte në janar-mars 2022.

Rritje e lehtë u vu re edhe në grupet me paga të larta 95,000-120,000 dhe mbi 120, 000 lekë.

INSTAT bëri të ditur se paga mesatare mujore bruto për një të punësuar me pagë, gjatë tremujorit të dytë 2022, është 60.666 lekë, duke u rritur me 7,0% krahasuar me të njëjtin tremujor të vitit të kaluar.

Në të njëjtën periudhë inflacioni mesatar ishte 6.8%, sipas INSTAT (6.2% në prill, 6.7% në maj dhe 7.4% në qershor), çka bën që rritja reale e pagave të ketë qenë pothuajse zero në të njëjtën periudhë.

Për pesë grup profesione, nga 10 të tilla që raporton INSTAT, rritja reale e pagave, e indeksuar me inflacionin ishte negative, çka do të thotë se me të njëjtën sasi të ardhurash familjarët dhe individët po blejnë më pak produkte.

Gjithsesi tregu i pagave në Shqipëria vuan nga informaliteti i lartë. Shumë punonjës maskohen si të vetë-punësuar pa pagë dhe nga ana tjetër një pjesë e madhe e sektorit privat me pagë nën-deklarohet në tatime për të shmangur tatimet mbi pagën.

Në sektorin e biznesit informaliteti është vlerësuar deri në 60 për qind në aktivitet e ndërtimit sipas të dhënave që dalin nga vrojtimet e Organizatës Ndërkombëtarë të Punës (ILO), teksa në Bujqësi gati 90 për qind e atyre që raportohen të punësuar janë informalë.

Sipas të dhënave të Eurostat në qershor të vitit 2022, Shqipëria kishte nivelin më të ulët të pagës minimale në Europë.