Është siguruar një foto nga takimi që është zhvilluar mes gjyqtares së Krujës Enkelejda Hoxha dhe avokatit Aldo Tabaku, të dy të arrestuar nën akuzën e korrupsionit, shpërdorimit të detyrës, dhe ndikimit të paligjshëm të funksionarëve publikë.
Siç shihet dhe nga pamjet, Tabaku dhe Hoxha janë takuar në ambientet e një furre buke në Krujë, ku kishin shkuar për të blerë ëmbëlsira, thuhet zyrtarisht në dosjen e SPAK.
Gjyqtarja Hoxha u vu në pranga gjatë ditës së djeshme, teksa po mbante një seancë në Gjykatën e Krujës, së bashku me 9 persona të tjerë të dyshuar për akte korruptive. Personat e arrestuar në bashkëpunim me njëri tjetrin, iu merrnin të dënuarve shuma të mëdha parash, në mënyrë që ti lironin nga qelia.

Kujtojmë se Prokuroria e Posaçme Kundër Krimit dhe Korrupsionit dha dje njoftimin zyrtar lidhur me megaoperacionin që çoi në pranga 10 persona, përfshirë gjyqtaren e Krujës Enkelejda Hoxha, dhe zyrtarë të tjerë të këtij institucioni.
Burime bëjnë me dije se gjyqtarja Hoxha në bashkëpunim me disa persona të tjerë, po përgatiteshin që të nxirrnin nga burgu shtetasin Sajmir Petani.
Ky i fundit është i dënuar me 25 vite burg për vrasje dhe ishte ekstraduar nga Italia vetëm në Maj të 2020-tës, por duket se i rrinte ”ngushtë” burgu i Fushë Krujës, dhe për këtë ka nisur tratativat për korruptimin e gjyqtares Hoxha, e cila është e famshme për lirimin nga burgu të personazheve të njohura të botës së krimit.
Si prova materiale SPAK ka sekuestruar kompjuterat personalë të personave të ndaluar.
Gazetari i Fax News Elvis Myrta raporton se ndaj tyre SPAK ka ngritur akuzat e korrupsioni, shpërdorimit të detyrës dhe ndikimit të funksionarëve publikë.
Gjyqtarja Hoxha është bërë e njohur për lirimin nga burgu me procedura të dyshimta të disa personazheve të njohur të botës së krimit si Endrit Dokle, Genc Tafili dhe Ilir Paja, dhe po ashtu lirimin e Hekuran Billës, i cili do të vritej më vonë në një atentat në Tiranë.


