“Përgjegjësia për dështimin është e drejtuesve të lartë”/ Grupimi ‘Për PD-në’: Largimi i Bashës shënon ringritjen e partisë

Grupimi “Për PD-në”, ku janë bashkuar Bujar Nishani, Arben Imami, Edith Harxhi, Arben Ristani, Edvin Kulluri, Ibsen Elezi, Endira Bushati, Bislim Ahmetaj, Indrit Hoxha, kërkon largimin e Lulzim Bashës nga drejtimi i Partisë Demokratike.

Në deklaratën e tyre për mediet, ata shprehen se përgjegjësia për dështimin bie mbi drejtuesit e lartë të partisë, duke shtuar se largimi i Bashës do t’i hapte rrugë ringritjes së PD-së.

“Jemi të vetëdijshëm se përgjegjësia për zgjedhjet është përgjegjësi politike e drejtuesve të lartë të partisë. Në politikë një drejtues mban përgjegjësinë e dështimit, pavarësisht nga arsyet e dështimit. Kryetari i PD dhe drejtuesit e lartë të partisë duhet të marrin përgjegjësi për këtë humbje kaq të rëndë. PD ka shembull të një sjelljeje politike dhe qytetare. Z.Sali Berisha dhe drejtues të lartë të saj morën përgjegjësinë dhe vendosën një standard. Largimi, dorëheqja e parevokueshme e z.Basha jo vetëm nuk është fundi i PD-së por është fillimi i ringritjes së saj. Ai i detyrohet partisë”, thuhet ndër të tjera në deklaratë.