Nën kujdesin e Ambasadës së Turqisë në Tiranë dhe në bashkëpunim me Shoqatën e të Diplomuarve në Turqi të Shqipërisë (TUMED) është organizuar shpërndarja e ndihmave me pako ushqimore për familjet në nevojë, raporton Anadolu Agency (AA).
Gjatë shpërndarjes së ndihmave që u siguruan me kontributin e Shoqatës Sadakataşı ishin të pranishëm ambasadori i Turqisë në Tiranë, Murat Ahmet Yörük, përfaqësues të TUMED-it dhe të ftuar të tjerë.
Ambasadori Yörük gjatë fjalës për të pranishmit, duke përcjellë edhe përshëndetjet e presidentit të Turqisë, Recep Tayyip Erdoğan, tha se muaji i Ramazanit është muaj që duhet shpërndarë mirësi dhe të kesh afrimitet me njerëzit.
“Edhe në këtë muaj të Ramazanit jemi pranë vëllezërve shqiptarë dhe nuk e neglizhojmë asnjëherë të qëndruarit pranë jush në çdo lloj ndihmese dhe të qëndruarit afër për të gjitha problemet. Ne vëllezërit tanë shqiptarë i kemi në një vend të veçantë si në zemrat tona, si në shpirtrat tanë dhe mendjet tona. Ky afrimitet nuk është vetëm në muajin e Ramazanit. Kemi qenë dhe do të jemi gjithmonë pranë vëllezërve tanë shqiptarë në ditë të vështira dhe në ditët kur kanë nevojë për ne”, tha Yörük.
Ambasadori turk uroi që muaj i Ramazanit të sjellë mbarësi dhe mirësi.
Kreu i TUMED-it, Egert Haxhiu, falënderoi institucionet turke dhe tha se, “Këto ndihma do t’u ndahen të diplomuarve, familjeve dhe të afërmve të tyre që kanë nevojë. Falënderojmë shtetin turk dhe të gjithë ata që kontribuojnë për të mirën e Shqipërisë”.
Ndihmat përfshijnë dhjetëra pako me produkte ushqimore për familjet që banojnë në Qarkun e Tiranës.



