Pas Spanjës, edhe Franca lejon hyrjen e shqiptarëve të vaksinuar (por jo me kinezen)

Franca lejon hyrjen e udhëtarëve shqiptarë me pasaportë biometrike, vetëm nëse janë vaksinuar dhe udhëtarët paraqesin gjithashtu edhe testin PCR të 72 orëve të fundit ose Antigen të 48 orëve të fundit.

Pas Spanjës, edhe Franca do të lejojë hyrjen e shqiptarëve që kanë bërë vaksinat. Por ndryshe nga shteti spanjoll që i njeh edhe vaksinat kineze, ai francez nuk do t’i marrë në konsideratë.

Tirana International Airport ka bërë të ditur se Franca, nga sot, më 9 Qershor 2021, lejon hyrjen e udhëtarëve shqiptarë me pasaportë biometrike, që kanë bërë vaksinat Pfizer, Moderna, AstraZeneca dhe Johnson & Johnson, si dhe janë të pajisjur me test PCR.

Franca lejon hyrjen e udhëtarëve shqiptarë me pasaportë biometrike, vetëm nëse janë vaksinuar dhe udhëtarët paraqesin gjithashtu edhe testin PCR të 72 orëve të fundit ose Antigen të 48 orëve të fundit.

Vaksinat e pranuara nga Franca janë ato të njohura nga Agjencia Evropiane e Barnave (EMA): Pfizer, Moderna, AstraZeneca dhe Johnson & Johnson.

Prova e vaksinimit është e vlefshme nëse lejon të vërtetohet përfundimi i një kohe të plotë të vaksinimit, përkatësisht:

  • 2 javë pas injeksionit të 2-të për vaksinat me injeksion të dyfishtë (Pfizer, Moderna, AstraZeneca);
  • 4 javë pas injeksionit për vaksinat me një injeksion të vetëm (Johnson & Johnson);
  • 2 javë pas injeksionit për vaksina te njerëzit me histori të Covid-19 (kërkohet vetëm 1 injeksion).

Franca e konsideron Shqipërinë në listën e vendeve me ngjyrë portokalli, domethënë me rrezik të ulët infektimi.

Për ata që nuk janë vaksinuar, masat kufizuese vazhdojnë të mbeten në fuqi. Qytetarët e pavaksinuar, duhet të udhëtojnë vetëm për arsye esenciale (për të shkuar të bashkëshorti/bashkëshortja, apo prindërit të udhëtojnë tek fëmijët me leje qëndrimi në Francë, e studentët për motive studimi)

Edhe kjo kategori udhëton me testin PCR të 72 orëve të fundit ose Antigen të 48 orëve të fundit, thuhet në njoftimin e TIA-s.

Dje u njoftua se Spanja hapi dyert për të gjithë qytetarët shqiptarë me pasaportë biometrike që kanë bërë të dy dozat e vaksinës ndaj Covid-19. Dozat e vaksinave të njohura nga autoritetet e Spanjës përfshijnë Pfizer-BioNTech, Moderna, AstraZeneca, Janssen, Sinopharm dhe Sinovac-CoronaVac.