Sali Berisha është i bindur se sistemet e shërbimeve publike përfshirë dhe atë TIMS e MEMEX ku janë të arkivuara të gjithë të dhënat për personat e skeduar dhe dyshuar si të përfshirë në krime, nuk janë hakeruar vetëm nga hakerat iranianë, por dhe ata paguar nga vetë qeveria Rama. Në një dalje publike, ai e denoncoi këtë si një skandal që është shumë i rrezikshëm për sigurinë kombëtare dhe që sipas tij bëhet për t’i dhënë mesazhe grupeve kriminale që janë nën hetim për t’u larguar.
“Është sulmuar nga hakera qeveritarë, me qëllim për të zhdukur të gjitha gjurmët e lidhjeve të qeveritarëve, deputetëve, me grupet kriminale dhe trafikantët, udhëtimet e tyre të përbashkëta, të cilat janë një provë e pakontestueshme e bashkëpunimit të krimit me politikën”.
Arsyet që e çojnë Berishën të besojë tek vërtetësia e hakerimit qeveritar është fakti që sipas tij dalja në publik e të dhënave sensitive ka nisur që në 2017 kur u publikuan lista me emra të bashkëpunëtorëve të shërbimeve inteligjente apo publikimi pagave e targave, për të cilat ende nuk ka asnjë të dënuar.
“A ka njeri sot në një proces të vetëm gjyqësor për të gjithë këtë veprimtari”?
Po ashtu Berisha e akuzon qeverinë se prej datës 15 Korrik kur ndodhi sulmi i parë kibernetik ndaj AKSHI-t nuk është marre asnjë masë mbrojtje për sistemet publike që sipas tij janë në mëshire të atyre që po i sulmojnë dhe shkatërrojnë.



