Nga Redi Shehu
Nuk ka dyshim se faza në të cilën ndodhemi, përsa i përket reformës në drejtësi, është e barabartë me transformimin e një qiriu brënda një dhome të errët, në një projektor verbues që kap cepat më të largët të shoqërisë tonë politike. Tashmë cironkat e fillimit janë kthyer në balena aq të mëdha sa nuk ka rrjetë pushteti që t’i mbajë. Historia e reformes tonë në drejtësi e cila në përceptimin popullor ngushtohet tek emri SPAK, është e përvijuar brënda dy mitologjive. Miti i parë i cili kryesisht është zanafilluar, fryrë e majisur nga mendimi opozitar, është se SPAK nuk është gjë tjetër veçse mekanizmi i Ramës për të shkatërruar opozitën dhe pastruar oborrin e tij nga të pabindurit, tradhtarët dhe kumbullngrënësit. Miti i dytë, ai i mbështetësve të maxhorancës, është se SPAK është jo vetëm produkt i pushtetit, por edhe e vetmja formë emancipuese e qeverisë, me të cilën socialistët tentuan t’i mbushin mendjen vetes, pastaj edhe të tjerëve.
Asnjëri nga këto mite nuk ka raporte të shëndetshme me të vërtetën. Ato u përdorën në funksion të secilës palë pikërisht për të verbuar një të vërtetë të pamohueshme se paaftësia e rithemelimit të drejtësisë nga ana jonë gjatë tranzicionit, çoi në nevojën e rithemelimit të saj nga faktorë të jashtëm. E kur këtë nuk e bën dot vetë, por ta bëjnë të tjerët, atëherë “toleranca” këmbehet me shpejtësinë, rreptësinë dhe traumën. Koha e humbur nuk të jep elegancën e një proçesi të natyrshëm e gradual reformimi. Jo, tashmë ajo ka humbur sensibilitetin vendas në funksion të efikasitetit të sertë. Për këtë politkanët tanë nuk kanë pse të fajsojnë askënd tjetër përveç vetes.
Skandali Balluku, nuk është aq i rëndësishëm në esencë bazuar vetëm në banalitetin e grabitjes së pasurise publike, por kthehet në ngjarje të posaçme sepse në të njëjtën kohë shkatërroi dhe degradoi pikërisht këto dy mite. Për herë të parë, pas kaq vitesh të fillimit të reformës në drejtësi, miti i kontrollit të saj nga Rama, si dhe miti i shpikjes socialiste, sot duken të pavlera. Në këmbim, ekziston një pothuaj tërbim i përbashkët për ta sjellë reformën në “parametra normalë”. Narrativa, sigurisht, mbështet në ligj, sepse nuk ka mënyrë më të mirë për të shkelur ligjin sesa duke pretenduar se po e zbaton atë.
U desh ky skandal, kjo akuze per vjedhje të rëndomte të fondeve publike, që të vetmin ndryshim me skandalet e tjera, kishte afërsine me kreun e ekzekutivit. Pra, procesi i demistifikimit te reformës në drejtësi nuk u nis nga nevoja ligjore për të sqaruar kompetencat, por nga variabli i afërsisë me Kryeministrin. Afërsi nuk do të thotë thjesht qënia zv/kryeministre, por shkalla e bashkëpunimit dhe personalizimit të marrëdhënies. Në rastin Ahmetaj u procedua menjëhere me heqjen e imunitetit ndersa me rastin Balluku edhe pse i njëjti post, kërkohen sqarime dhe saktesime kompetencash nga Gjykata Kushtetuese. Asokohe, ne Korrik të 2023, Kuvendi aprovoi kërkesen SPAK për arrestimin e Arben Ahmetajt me 117 vota pro. Kesaj here, për zj. Balluku, komisioni i verifikimit të mandateve nuk ka vullnetin politik për të filluar realisht një proçes verifikimi ndaj dosjeve të tëra që SPAK i ka vënë në dispozicion për akuzat ndaj zv.kryeministres. Standarti i dyfishtë për të njëjëtin post dhe për të njëjtat akuza tregon se variabli i afërsisë prevalon mbi atë të ligjit apo kushtetueshmërisë së ngjarjes.
Ajo që është më e rëndësishme në gjithë këtë histori, nuk janë sofizmat ligjore mbi atë se deri ku janë kompetencat e pushteteve, por është fakti moral i ngjarjes. Rrallë gjen në betejen mediatike të këtij rasti, arsyetime nisur nga hierarkia morale e arsyetimit. Përkundrazi, shpesh shikon që analiza përqëndrohet tek pasoja dhe tek teknikaliteti ligjor, duke u përpjekur për të gjetur artifica të tilla në funksion të justifikimit të veprimeve të maxhorancës. Shpesh, debati përfundon mbi vlefshmërinë ose jo të SPAK dhe reformës në drejtësi, nëse është i kapur dhe i degraduar sistemi apo jo. Në fakt, arsyeja politike kërkon që të kapet pas hierarkisë morale të aktit për të logjikuar një ndër skandalet më të rënda të historisë tonë moderne politike.
Të gjithë ata që bezdisen nga referenca morale e ligjit dhe zbatimit të tij, duhet ta dinë se ëshë pikërisht hierarkia morale ajo pë përcakton legjitimitetin e normave juridike, me pak fjalë nëse një ligj është mjeti për të lëvizur shoqërinë, morali është karburanti që vë në lëvizje këtë mjet. Nëse ligji në vetvehte shpesh duket i ftohtë, janë interpertimet e tij që këkojnë hierarkinë morale për të përcaktuar frymën e këtij ligji. Dallimi i duhur mes normave morale subjektive të disave, dhe atyre objektive si “common sense” i shoqërisë, i jep zbatimit të ligjit frymën e vërtetë më të cilin ai gjallon. Bazuar mbi këtë premisë, pyetja themelore që shtrohet është a kemi indicie të forta për shkelje morale në formën e abuzimit të fondeve publike? A është e nevojshme që për hir të së mirës publike këto dyshime të sqarohen përmes përballjes me provat? A është një qeveri në parim rojtarja e së mirës publike dhe për pasojë garantja e moralitetit qeverisës?
Nëse vërtet një maxhorancë, kushdo qoftë ajo, do të mbartte misionin fisnik të garantueses së moralit në qeverisje, ajo as që do e diskutonte zbatimin e hierarkisë morale. Së pari, do kërkonte që zv/ kryeministrja të jepte dorëheqjen, e në rast se ajo nuk do ta bënte një gjë të tillë, do të proçedonte me shkarkimin e saj derisa hetimet të mbaronin. Nëse ka akuzë se SPAK po ndërhyn në kompetencat e ekzekutivit duke pezulluar zj. Balluku, është pikërisht sepse ekzekutivi nuk ndoqi rrugën e hierarkisë morale duke e shkarkuar atë për t’i hapur rrugë hetimit të lirë nga presionet. Qeverisja nuk ka pse qahej se një masë e përkohshme e SPAK mund të prodhojë pasoja të përhershme në funksionet e ekzekutivit, nëse do të merrte për mburojë hirarkinë morale në të gjitha aktet saja qeverisëse. Është pikërisht kjo hierarki e cila bën që qeveritë demokratike në botë, të mos shkojnë në përplasje të kompetencave mes gjyqësorit dhe ekzekutivit sepse ngjarja që në premisë merr zgjidhje moralisht. Ose dorëheqje ose shkarkim.
Tek ne, historia politike na mëson që ka pasur raste kur për shkak të hierarkisë morale, poste të rëndësishme jane lënë nga funksonarë të lartë. Rasti i shkarkimit të Ministrit Ylli Pango në 2009- tën , apo dorëheqja e ministrit Fatmir Mediu në 2008 pas tragjedisë së Gërdecit. Rasti i dorëheqjes së zv/kryeministrit Ilir Meta në 2011 për shkak të një video përgjimi, apo pastrimi i qeverisë Rama në 2018 pas lëvizjes studentore si reflektim moral ndaj pakënaqësisë popullore. Çështja është se sot qeverisja nuk është e rrezikuar nga opozita dhe si i tillë hierarkia morale avullon ngase kjo e fundit ka qenë thjesht maskë e jo soft i mendimit dhe veprimit të saj politik.


