Numri i abonentëve të internetit fiks u rrit në 2025, Vodafone merr kryesimin e tregut nga One

Numri i abonentëve të internetit me brez të gjerë nga linjat fikse u rrit përsëri në 2025.

Të dhënat e Autoritetit të Komunikimeve Elektronike dhe Postare (AKEP) tregojnë se numri i abonentëve në fund të vitit të kaluar arriti në afërsisht 715 mijë, në rritje me 4.1% krahasuar me një vit më parë. Ritmi i rritjes së numrit të abonentëve ishte më i ngadaltë krahasuar me vitet e mëparshme. Kjo reflekton edhe rritjen e bazës krahasuese, nga zgjerimi i vazhdueshëm me ritme relativisht të larta i numrit të abonentëve të interesit me brez të gjerë.

Tregu i shërbimit të internetit broadband me linja fikse në dekadën e fundit ka qenë mjaft konkurrues, sidomos në qendrat e mëdha urbane, ku përqendrimi i popullsisë është më i lartë dhe ku janë përqendruar edhe investimet e operatorëve në infrastrukturë rrjeti.

Sipas të dhënave nga AKEP, në fund të vitit 2025, tregu u kryesua nga Vodafone Albania, me 154 mijë abonentë, shifër që përbën afërsisht 22% të numrit të përgjithshëm të abonentëve të tregut.

Vodafone Albania e ka rritur numrin e abonentëve me 6.5% krahasuar me një vit më parë.

Rivali kryesor, One Albania, e ka humbur për momentin kryesimin historik në tregun e shërbimeve fikse. Në fund të vitit 2025, One Albania raportonte rreth 152 mijë abonentë, në rënie me 0.2% krahasuar me një vit më parë. One Albania mban vendin e dytë në tregun e internetit fiks, me 21% të numrit të përgjithshëm të abonentëve.

Kompanitë e tjera janë ende larg dy aktorëve mbizotërues në treg. E treta pozicionohet ASC (Tring), me 9% të numrit të abonentëve, e ndjekur nga Abissnet, me 6%, Digicom, me 5% dhe Nisatel, me 4%. Në këtë treg veprojnë edhe një numër i konsiderueshëm operatorësh më të vegjël rajonale dhe lokalë, që, të marrë së bashku, sipas vlerësimeve të AKEP, zotërojnë afërsisht 29% të numrit të përgjithshëm të abonentëve.

Të dhënat e raportuara nga sipërmarrësit e ofrimit të rrjeteve fikse tregojnë se, përveç rritjes së numrit të pajtimtarëve, tregu ka pasur zhvillim pozitiv edhe në drejtim të zhvendosjes drejt shpejtësive më të larta të lidhjes. Deri në fund të vitit 2024, rreth 69% e lidhjeve të internetit nga rrjetet fikse mbështeten në teknologjinë e fibrës optike.

Struktura e pajtimtarëve me akses në shërbime interneti fiks po evoluon në mënyrë të pandërprerë drejt shërbimeve broadband me shpejtësi shkarkimi mbi 30 Mbps (megabit për sekondë).

Deri në fund të 2024, rreth 84% e pajtimtarëve kishin akses në lidhje fikse të kësaj shpejtësie. Ndërkohë, 42% e pajtimtarëve zotërojnë lidhje me shpejtësi mbi 100 Mbps.

Sipas AKEP, rritja e ndjeshme e numrit të pajtimtarëve që kanë akses në lidhje fikse me shpejtësi më shumë se 100 Mbps është një tregues pozitiv, në funksion të arritjes së objektivave të

parashikuara në planin kombëtar për infrastrukturë dixhitale broadband të shpejtësisë së lartë dhe shumë të lartë në të gjithë vendin./ E.Shehu