Ambasadori turk në Tiranë, Baris Ceyhun Erciyes, ka deklaruar se Turqia dhe Shqipëria punojnë së bashku për paqen dhe stabilitetin në rajon, raporton Anadolu.
Në Shqipëri ka filluar Shkolla Rinore Ballkanike 2026, që organizohet nga Shoqata e të Diplomuarve në Turqi e Shqipërisë (TUMED), në bashkëpunim me Kryesinë e Turqve Jashtë Vendit dhe Komuniteteve Mike (YTB).
Në aktivitetin e hapjes në Tiranë, ambasadori Erciyes mbajti leksionin e parë me temë “Mbështetja për zhvillimin ndërmjet dy vendeve", ndërsa të pranishëm ishin edhe kryetari i TUMED-it, Egert Haxhiu, dhe këshilltari për Çështjet e Arsimit pranë Ambasadës së Turqisë në Tiranë, Gokmen Aksakal.
Në fjalën e tij, ambasadori Erciyes i konsideroi marrëdhëniet e Turqisë me Shqipërinë si shumë unike.
"Kemi lidhje shumë të forta historike, lidhje kulturore dhe lidhje njerëzore. Dhe kjo po formëson miqësinë tonë, marrëdhëniet tona sot gjithashtu. Por nuk është vetëm forca e historisë sonë. Mendoj se lidhjet e forta e karakterizojnë dhe formësojnë gjithashtu të ardhmen tonë. Bazuar në ato marrëdhënie të forta, besoj se me Shqipërinë kemi një të ardhme shumë të ndritshme", tha ai.
Ambasadori turk foli edhe për personalitete me origjinë shqiptare që kanë kontribuar për kulturën turke dhe shtetin turk, por edhe gjatë periudhës osmane, si dhe për shtetasit turq me orgjinë shqiptare që jetojnë sot në Turqi.
Ambasadori Erciyes shtoi se marrëdhëniet politike mes dy vendeve janë në një nivel shumë të mirë dhe sipas tij nuk është rastësi. "Presidenti (Recep Tayyip) Erdogan dhe kryeministri (Edi) Rama gjithashtu po bëjnë shumë përpjekje për të përmirësuar këto marrëdhënie. Dhe në fakt, si ambasador turk, si institucione turke, e gjejmë veten në një mjedis shumë miqësor, dhe niveli i marrëdhënieve tona politike është i shkëlqyer", tha Erciyes.
"Në aspektin rajonal, marrëdhëniet midis Shqipërisë dhe Turqisë janë gjithashtu shumë të rëndësishme. Shqipëria është një vend kyç, është një nga shtyllat për paqen dhe stabilitetin rajonal. Dhe Turqia është gjithashtu një vend shumë i rëndësishëm në rajon. Pra, si dy vende ne punojmë së bashku për paqen dhe stabilitetin rajonal. Kosova është gjithashtu një aleat dhe mik shumë i rëndësishëm në rajon. Dhe kur bëhet fjalë për Kosovën, sigurisht ne po punojmë së bashku me Shqipërinë për të rritur njohjet e Kosovës gjithashtu", tha ambasadori turk.
Shkolla Rinore Ballkanike 2026 do të zgjasë tetë javë dhe në seminaret e saj do të marrin pjesë rreth 40 të rinj që kanë studiuar apo studiojnë në degë të ndryshme, ndërkohë do të trajtohen çështje nga fusha e kulturës, arsimit, historisë, ekonomisë, politikës dhe të tjera.


