Sipas një zyrtari nga Ministria iraniane e Naftës, Koreja e Jugut nuk ka blerë naftë nga Irani pothuajse tre muaj, transmeton Anadolu Agency (AA).
Drejtor i marrëdhënieve me publikun në Ministrinë e Naftës, Kasra Nouri, siç citohet nga agjencia e lajmeve Shana, ka theksuar se Koreja e Jugut ishte vendi i parë që tërësisht i frenoi blerjet e saj të naftës nga Irani pas tërheqjes së Washingtonit në maj nga marrëveshje bërthamore e vitit 2015 ndërmjet Iranit dhe fuqive botërore, e njohur zyrtarisht si Plani i Përbashkët i Veprimit (JCPOA).
Sipas raportimit të agjencisë Shana, komentet e Nouri-t vijnë në përgjigje të “pretendimeve të përsëritura nga zyrtarët e Koresë së Jugut lidhur me vazhdimin e ndërveprimeve të kompanive koreane me Iranin pavarësisht nga presioni i SHBA-ve”.
Shana thekson se ambasadori i ri i Koresë së Jugut në Iran, Yu Chang Hwang, të shtunën tha se kompanitë koreane do të vazhdojnë të punojnë me Iranin, pavarësisht tërheqjes së Washingtonit nga marrëveshja dhe ri-vendosja e sanksioneve kundër Teheranit.
“Kompanitë e Koresë së Jugut nuk e kanë shkurtuar bashkëpunimin e tyre tregtar dhe të biznesit me ndërmarrjet ekonomike iraniane në periudhën e sanksioneve”, tha ambasadori i Koresë së Jugut, duke iu referuar sanksioneve ekonomike kundër Iranit para JCPOA-së.
Më tej thuhet se India, Koreja e Jugut dhe Japonia janë tre klientët kryesorë të naftës së papërpunuar iraniane në Azi. Para majit, Koreja e Jugut importonte mesatarisht 180 mijë fuçi naftë në ditë nga Irani.



