Gjirokastër, policia sekuestron 3.5 kilogramë kokainë

Policia ka sekuestruar 3,5 kg kokainë në pikën kufitare të Kakavijës.

 Gjatë kontrollit të një automjeti në Kakavijë të Gjirokastrës, policia ka sekuestruar mbi 3.5 kilogramë lëndë narkotike e dyshuar kokainë, ndërsa është arrestuar një shtetas i Shqipërisë, transmeton Anadolu Agency (AA).

Në njoftimin e Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shqipërisë thuhet se lënda narkotike është gjetur gjatë kontrollit të një automjeti nga punonjësit e Policisë Kufitare në Kakavijë.

“Është goditur një tjetër tentativë për trafik të lëndëve narkotike të forta. Sekuestrohet 3 kilogramë e 545 gramë lëndë narkotike e dyshuar kokainë, ndërsa arrestohet në flagrancë poseduesi i lëndës narkotike. Në përfundim të veprimeve të kryera nga specialistët për hetimin e narkotikëve u bë arrestimi në flagrancë i një shtetasi për veprën penale ‘Trafikimi i narkotikëve’”, theksohet në njoftimin e policisë.

Kujtojmë se në ditët e fundit në Shqipëri janë realizuar disa operacione antidrogë, duke u arrestuar dhjetëra persona.