Në seancën e sotme të Kuvendit të Kosovës, deputetët miratuan disa projektligje të cilat lidhen me axhendën e reformave evropiane, raporton Anadolu Agency (AA).
Deputetët e Kuvendit të Kosovës sot miratuan projektligjin për Gjykatat, projektligjin e Kodit Penal, projektligjin për kompetencat e zgjeruara në Konfiskimin e Pasurisë dhe disa ligjeve tjera që kanë të bëjnë me reformën në drejtësi.
Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, miratimin e pakos së ligjeve të Agjendës së Reformave Europiane për sistemin e drejtësisë e cilësoi si një lajm të mirë për shtetin e Kosovës.
“Përgëzoj Ministrin e Drejtësisë, Ablerad Tahiri, për punën e tij të jashtëzakonshme. Falënderoj të gjithë deputetët që votuan këtë pako të rëndësishme. Me një sistem të drejtësisë funksionale e të reformuar, luftimi i krimit dhe korrupsionit është i pandalshëm dhe rruga jonë drejt integrimeve europiane është më afër. Bashkimi Europian, po ashtu, duhet të tregojë se është më afër nesh, duke marrë vendim për liberalizimin e vizave për qytetarët tanë”, deklaroi Veseli.
Votimi i këtyre projektligjeve është përshëndetur edhe nga shefja e Zyrës së BE-së në Kosovë, Natalyia Apostolova e cila në një mesazh nga rrjeti social Twitter tha: “Sot Kuvendi tregoi përgjegjësi, përkushtim të madh dhe devotshmëri ndaj reformave në drejtësi në Kosovë. Urime për miratimin e Kodit Penal, Ligjit për Konfiskimin dhe të gjitha ligjeve tjera kruciale për luftimin e korrupsionit dhe krimirt të organizuar. Konsensusi nacional është krucial në këtë moment”.
Ministri i Drejtësisë së Kosovës, Abelard Tahiri dje njoftoi se miratimi përfundimtar i projektligjeve si Projekt Kodi Penal, Projektligji për Përgjegjësinë Disiplinore të Gjyqtarëve dhe Prokurorëve, Projektligji për Konfiskimin e Pasurisë së përfituar me vepër penale si dhe projektligji për Mbrojtjen e Sinjalizuesve, shënon një shkëputje të rëndësishme në avancimin dhe fuqizimin e shtetit ligjor, duke krijuar një rrethanë të re dhe të domosdoshme që do të prodhojë efekte të menjëhershme në luftën kundër korrupsionit, krimit të organizuar dhe se do të adresojë përgjegjësinë e organeve të pavarura të zbatimit të ligjit konform normave më të larta të cilësisë, llogaridhënies dhe integritetit.
Ai tha se këto projektligje janë hartuar mbi bazën e rekomandimeve të Raportit të Progresit të Bashkimit Evropian dhe mbi bazën e nevojave institucionale për të rritur efikasitetin në luftimin e krimit të organizuar dhe korrupsionit, për të konfiskuar çdo pasuri të përfituar me vepër penale, për të mundësuar llogaridhënie dhe përgjegjshmëri brenda sistemit gjyqësor dhe atij prokurorial si dhe për të mundësuar mbrojtje të plotë ligjore për qytetarët që ekspozojnë shkelje ligjore brenda sferës institucionale dhe në mbrojtje të interesit publik.



