Ali Ahmeti: Me dështimin e Marrëveshjes së Prespës, dështon procesi i paqes në Ballkan

“Sa i takon problemit Kosovë-Serbi, unë e kuptoj që nuk është e lehtë, por pa u mbyllur ky problem as rajoni nuk mund të jetë i qetë”, tha Ahmeti

 Kreu i Bashkimit Demokratik për Integrim (BDI), Ali Ahmeti, në akademinë solemne të mbajtur në Shkup me rastin e Ditës së Flamurit dhe Pavarësisë së Shqipërisë, ka deklaruar se marrëveshja e arritur midis palës maqedonase dhe greke nuk duhet të dështojë, sepse është kyç për instalimin e paqes dhe stabilitetit në Evropën jugore dhe në Ballkan, raporton Anadolu Agency (AA).

Akademia solemne është një ndër disa aktivitete për shënimin e kësaj feste, të organizuara nën patronazhin e kreut të BDI-së, ku të pranishëm ishin zv/kryeministra, ministra e përfaqësues të pushtetit lokal, përfaqësues të korit diplomatik të Shqipërisë dhe Kosovës në Maqedoni, si dhe mysafirë të tjerë.

Ahmeti në fjalimin e tij para të pranishmëve foli rreth historisë së shqiptarëve, si dhe për të arriturat e shqiptarëve të Ballkanit viteve të fundit. Sipas tij, shqiptarët e Ballkanit sot janë në një situatë ku më shumë duhet të punojnë, sepse siç tha ai, proceset në këtë rajon ende janë të papërfunduara tërësisht.

Ahmeti iu referua edhe arritjeve të shqiptarëve të Maqedonisë, duke përmendur edhe Marrëveshjen e Prespës, të arritur në muajin qershor midis qeverisë maqedonase dhe asaj greke, e cila është kusht për anëtarësimin e vendit në NATO dhe fillim të negociatave për anëtarësim në Bashkimin Evropian (BE).

“Me dështimin e kësaj marrëveshjeje, dështon procesi i paqes, dështon procesi i integrimit të vendit tonë në NATO dhe BE, por edhe dështon një proces tepër i rëndësishëm për instalimin e paqes dhe stabilitetit në hapësirat e Evropës jugore dhe në tërësi të Ballkanit, i cili jo shumë vite na ndajnë i trazuar nga luftëra e gjakderdhje të mëdha”, deklaroi Ahmeti.

Ai theksoi se kjo marrëveshje nuk duhet të dështojë, pasi është marrëveshje “e përmasave jo vetëm rajonale, por edhe evropiane”.

– “Pa u mbyllur problemi Kosovë-Serbi, rajoni nuk mund të jetë i qetë”

Kreu i BDI-së po ashtu foli edhe për mosmarrëveshjet midis Kosovës dhe Serbisë, situatë që sipas tij, do përkushtim të madh nga autoritetet, institucionet dhe opozita kosovare, që të arrijnë të përmbyllin këto çështje kosovaro-serbe.

“Sa i takon problemit Kosovë-Serbi, unë e kuptoj që nuk është e lehtë, por pa u mbyllur ky problem as rajoni nuk mund të jetë i qetë. Do t’u gëzohemi të gjitha të arriturave të deritanishme, sigurisht dje nuk kemi qenë më mirë, sot jemi më mirë se dje, por unë presë që nesër të jemi më mirë se sot”, tha Ahmeti.

Në këtë akademi solemne kushtuar festës së 28 Nëntorit, i pranishëm ishte edhe kryeparlamentari i Maqedonisë, Talat Xhaferi, zv/kryeministri i Maqedonisë për çështje evropiane, Bujar Osmani, si dhe zv/kryeministri i Kosovës, Enver Hoxhaj.

Kryeparlamentari Xhaferi, i cili po ashtu është kryetar i komisionit shtetëror të Maqedonisë për shënimin e “Vitit të Skënderbeut” në këtë vend, theksoi se 28 Nëntori është datë që mbanë vendin hyjnor në përcaktimin e identitetit dhe luftës shekullore të kombit shqiptar për liri dhe pavarësi.

“Historia ndonjëherë është e dhimbshme për faktin se përcakton fatet e popujve, që edhe ne si popull të mos kemi mundësinë të jemi në një truall siç kanë pretenduar në historinë ndër shekuj popuj tjetër. Por, mbi të gjitha përkushtimi ynë për ta arritur atë çka është synimi ynë kombëtar, kolektiv dhe për fatin historik që na ka ndarë të ndajmë këtë tokë edhe me tjerët, nuk jemi shpirtngushtë që të bashkëveprojmë dhe të bashkërendisim përcaktimet tona për të qenë të gjithë ne bashkë në një Evropë të bashkuar, demokratike dhe me vlera evropiane”, deklaroi Xhaferi.

Ndërkaq, zv/kryeministri Hoxhaj, nga ana e tij, në fjalimin para të pranishmëve shprehu mirënjohje për të gjithë shqiptarët në Ballkan, të cilët sipas tij, kontribuan në shpalljen e pavarësisë së Kosovës.

“Kur e shënojmë këtë ditë, nëntorin e vitit 1912, nuk është një lloj kthimi i thjeshtë në histori, por është edhe një lloj rikthimi drejt të ardhmes, një lloj riorientimi i ynë drejt të ardhmes”, u shpreh Hoxhaj.

Në trojet shqiptare 28 Nëntori sot festohet si Dita e Flamurit dhe Pavarësisë, pasi më 28 nëntor të vitit 1912 Shqipëria shpalli pavarësinë.