Hashim Thaçi: Ushtria është nderi, siguria dhe mirëqenia e Kosovës

Thaçi ka përshëndetur votimin e sotshëm në Kuvendin e Kosovës, ku deputetët me shumicë absolute miratuan në shqyrtim të dytë 3 projektligjet për transformimin e FSK-së në ushtri

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, pas miratimit të tre projektligjet për transformimin e Forcave të Sigurisë së Kosovës (FSK) në ushtri, është shprehur se “Ushtria e Kosovës është nderi, siguria dhe mirëqenia e Republikës së Kosovës”, transmeton Anadolu Agency (AA).

Presidenti Thaçi ka përshëndetur votimin e sotëm në Kuvendin e Kosovës, ku deputetët me shumicë absolute miratuan në shqyrtim të dytë 3 projektligjet për transformimin e FSK-së në ushtri.

“Pas dy dekadash shumë të mundimshme, më në fund po e përmbyllim procesin e shtetndërtimit. Në Kuvendin e Kosovës, me shumicë absolute, përtej dallimeve politike, si rrallëherë të zgjedhurit e popullit miratuan pakon ligjore për themelimin e Ushtrisë së Kosovës. Si shoqëri dhe shtet e kemi dëshmuar se jemi të guximshëm, të përgjegjshëm dhe dimë të qëndrojmë të bashkuar për t’i mbrojtur interesat e popullit dhe shtetit tonë. Krijimi i Ushtrisë së Kosovës dhe Ministrisë së Mbrojtjes është dhurata më e mirë për festat e sivjetme të fundvitit”, ka shtuar Thaçi.

Në seancën e sotme, Kuvendi i Kosovës me një shumicë absolute miratoi tre projektligjet për transformimin e FSK-së në ushtri, respektivisht projektligjin për formimin e Ministrisë së Mbrojtjes, projektligjin për transformimin e FSK-së në ushtri, si dhe projektligjin për shërbim në FSK.

Votimi i projektligjeve të sotme pritet të dekretohet nga presidenti Thaçi, pas së cilës Kosova zyrtarisht bëhet me ushtri.