Deputeti socialist Rrahja mbaroi universitetin pas 27 vitesh
Rrahman Rrahja, deputet i Partisë Socialiste në rrethin e Krujës, shënon në CV që ka mbaruar shkollën e mesme Bujqësore në vitin 1980.
Por, të lartën ai e ka filluar në vitin 2003. Pra 23 vite pas shkollës së mesme. Pikërisht në vitin 2003 ai është bërë edhe krytar i Komunës Nikël. Ndërkohë nuk dihet se me çfarë është marrë zoti Rrahja nga viti 1980 deri në vitin 2003. Ky është babai i Rexhep Rrahjes, djalit që postonte foto në rrjetet sociale me kllashnikov, me makina të shtrenjta dhe që dhunonte fizikisht të dashurën e vet.
Dhe të tillë si Rrahmani ka plot në Kuvend. Në këtë mënyrë është krijuar në Shqipëri kultura e një Parlamenti ku sundon i pasuri dhe i forti, duke injoruar arsimin dhe dijen.
“Ata që janë në Parlament janë ose disa raste të lidhjes së tyre me krimin për të përfaqësuar interesat e veta personale ose ato me krimin, dhe në disa raste të tjera pastaj, janë thjesht aty për të zbatuar vullnetin e kryetarit dhe nuk kanë lidhje realisht të njohin diçka sepse në fund të fundit do ta ngrijnë dorën aty ku japin urdhër kryetari”, thotë Ermal Hasimja, Pedagog.
“Unë di rast që një nga këto deputetë ka blerë diplomën e lartë, ndërkohë që ai s’kishte mbaruar shkollën e mesme”, tha Moikom Zeqo.

Deputeti Sadri Abazi paraqiti kursin e shoferave për Universitet
Disa deputetë kanë gjetur marifete të tjera për t’i shtuar vlerat CV-së së tyre në fushën e arsimit. Ata bëjnë kurse të rëndomta disajavore ose mujore jashtë shtetit dhe më pas i fusin në CV sikur janë të diplomuar.
Rasti më tipik i kësaj hileje është deputeti socialist Sadri Abazi. Në CV e tij shkruhet që ai është diplomuar nga Akademia IRU, në Gjenevë, në vitin 2002. Por nëse futesh në faqen online të kësaj akademie, aty shikon se në fakt programet e saj janë kurse trajnimi për shoferët e kamionëve. IRU në fakt është shkurtim për “Interneishënëll Roud Junion”. Që do të thotë Unioni Ndërkombëtar i Rrugëve.
Ky union paska edhe atë degë të vetën që quhet akademi dhe që shkruhet “Akademia IRU.
Dora Trajnuese e Unionit Ndërkombëtar të Rrrugëve.
Rritje e shkëlqyer profesionele për shoferët.
Akademia IRU, trajnon me mijëra shoferë dhe operatorë transporti çdo vit për të pasur një siguri më të madhe në rrugë dhe efincensë të qëndrueshme”.
Kaq mjafton për të kuptuar se Sadri Abazi ka bërë vetëm një kurs shoferash në Gjenevë, dhe jo shkollë të lartë.
Ilir Ndraxhi është një deputet tjetër i Partisë Socialiste që në CV e tij deklaron se 10 vitet e para të punës, ai ka qenë një shofer i thjeshtë. Më pas është bërë biznesmen. Ai shkruan se ka arsim të lartë si inxhinier pyjesh, por mesa duket këtë shkollë e ka bërë vetëm pasi i ka hyrë rrugës së politikës. Sepse një person me diplomë në inxhinieri nuk do të punonte 10 vite si shofer i parkut të mallrave.
Një arsim që lë për të dëshiruar ka pasur edhe politikanja e nivelit më të lartë në sektorin e arsimit. Ish-ministrja Lindita Nikolla. Ajo që mbajti këtë ministri për 6 vjet me radhë. Në CV-në e saj ajo shkruan se është diplomuar për matematikë në vitin 1989, në Fakultetin e Shkencave të Natyrës, Universiteti i Tiranës. Por nga një vërtetim që u bë publik gjatë protestës studentore në dhjetorin e kaluar, u zbulua se znj. Nikolla e ka mbaruar faktultetin me mesataren 5.8. Një rezultat shumë i ulët për kreun e arsimit të një vendi. Por, gjithashtu në CV ajo shkruan se është diplomuar në nivelin master në Albanian University në vitin 2010, në Administrim Publik drejtimi Pushtet Ekzekutiv. Arsyen se përse ish-ministrja Nikolla e ka mbaruar masterin me kaq vonesë dhe në këtë universitet kuptohet nëse shohim deklarimin e saj të pasurisë.
Kur ajo deklaron të ardhurat e bashkëshortit, vihet re që bashkëshorti i saj ka punuar si pedagog pranë këtij Universiteti, ku ajo ka mbaruar masterin.

Njihuni me plagjiaturën e Doktor Taulant Ballës
Tani do t’ju tregojmë se cilët prej zyrtarëve të lartë janë kapur me plagjaturë në doktoraturat e tyre.
Ndër to është dhe njëri nga figurat kryesore në Partinë Socialiste të Shqipërisë. Me doktoraturë të kopjuar rezulton të jetë kreu i grupit parlamentar socialist, zoti Taulant Balla.
Kjo plagjiaturë e bën më të rëndë skandalin për faktin se zoti Balla është edhe Kryetar i Grupit Negociator të Kuvendit në Parlamentin Europian. Ky është një pozicion kyç, pasi Shqipëria prezantohet në Bashkimin Europian pikërisht me zotin Balla.
“Zoti Balla shkruan në CV e tij që ka marrë doktoraturë Cumlaude që do të thotë me vlerësimin maksimal, ndërkohë që doktoratura e tij është plagjiaturë. Si mund të na përfaqësojnë ne persona të tillë në BE, kur e gjithë lufta në Bashkimin Eurpian është për pronësinë intelektuale”, tha Taulant Muka.
Top Story disponon ekskluzivisht doktoraturën e zotit Balla, e mbrojtur në vitin 2015. Nëse i hedhim një sy kësaj doktorature, i gjithë kapitulli 5 është plagjiaturë. Ai e ka vjedhur atë informacion nga një punim shkencor i “Qendrës Për Kërkime Politike Europiane” në Bruksel. Material i botuar në vitin 2009 dhe e mbrojtur me të drejtat e autorit.
Kapitulli 5 i dokotoraturës së Zotit Balla fillon me këto fjalë: “Kapitulli i 5-të përmban propozime për të reformuar sistemin e vendimarrjes në bashkimin Europian. Sugjerimet e mia në këtë reformë janë…”
Pra, Taulant Balla thotë se këto janë sugjerimet e tij personale për të reformuar institucionet e BE-së. Por, nëse lexojmë sugjerimet që vijnë më poshtë, ato janë fjalë për fjalë sugjerimet që bën edhe artikulli që ka kopjuar, i vitit 2009: “Institucione më eficente të BE-së. Procesi i brendshëm i vendimmarrjes mund të përmirësohet në të gjitha institucionet e BE-së. Kërkon një përdorim më eficent në të gjithë cilklin politik, koordinim më të mirë ndërmjet strukturave të brendëshme…
Institucione europiane më të përgjegjëshme. Instrumenta regulator më të mirë gjithmonë kanë ndihmuar për të forcuar përgjegjësinë e Komisionit, në lidhje me grupët e interesit”.
Duket qartë se teksi nuk është i zotit Balla. Ai gënjen kur thotë që këto janë propozimet e mia. Top Story vazhdoi të investigonte edhe më tej për informacione të tjera në rastin e plagjiaturës së deputetit nga Librazhdi.
Në bazë të CV-së së tij, Balla ka mbaruar studimet e larta në Universitetin “Alexander Ioan Cuza University”. Gjatë studimeve, Taulant Balla ka pasur miqësi me një student rumun me emrin Viktor Ponta, i cili më pas u bë edhe kryeministër i Rumanisë.
Njësoj si Balla, edhe Ponta, ka mbrojtur doktoraturën. Por në vitin 2014, u zbulua se punimi i diplomës së tij ishte plagjaturë. Lajmi u raportua në të gjitha mediat europiane dhe ish-kryeministri rumun e dorëzoi punimin e diplomës.
Të dy shokë shkolle, të dy njerëz me pushtet politik dhe të dy, me doktoraturë plagjiaturë. Të jetë rastësi vallë?
Mbetet për t’u parë nëse deputeti socialist Taulant Balla do të veprojë njësoj si miku i tij rumun, duke dorëzuar diplomën plagjaturë.
“Nëse kërkon në Google me emrin e Taulant Ballës dhe doktoraturën e tij, titulli i dokotraturës së tij, të del motorri i kërkimit të një prej faqeve ku ti mund të bësh punime, pra të blesh teza. Dhe unë nuk mund ta them me siguri, por mund të jetë një shenjë që ndoshta edhe e ka blerë atë doktoraturë që ai e ka marrë në Rumani. Në varësi të faqeve bën pagesën për atë punim. Dhe të përgatitet materiali dhe ti mund ta dorëzosh si punimin tënd. Patjetër që nuk është e ligjshme. Se atëherë nuk do ekzistonin universitetet”, tha Tauant Muka.
“Shumë veta të politikës, qoftë dhe asaj të quhet arsim dhe kulturë, nuk janë gjë tjetër veçse një mashtrim i madh, kurrë nuk kemi jetuar një mashtrim të madh në Shqipëri sa është në këto vitet e fundit”, tha studiuesi Moikom Zeqo.
Lefter Koka pa universitet, kur ishte Kryetar i Bashkisë Durrës dhe deputet
Top Story, për të parë nivelin e arsimit të deputetëve, u ndal në emrat konkretë. CV-ja e Lefter Kokës. Një personazh që prej vitesh ka pasur një peshë të madhe politike: kryetar i Bashkisë së Durrësit, deputet dhe Ministër i Mjedisit.
Pjesa më interesante është se tek deklarimi në KQZ me shkrimin e tij origjinal mbi arsimimin, z. Koka thotë se ka përfunduar Fakultetin Ndërkombëtar të Shkencave Juridike në Strugë.
Realisht një fakultet i tillë nuk ekziston. Nuk ka në të gjithë botën një fakultet ndërkombëtar të shkencave juridike.
Në fakt, në Strugë ka vetëm një universitet dhe ai quhet “Universiteti Ndërkombëtar i Strugës”. Pra deputeti ynë ka ngatërruar fjalën “fakultet”, me fjalën “universitet” duke krijuar një emërtim inekzistent: “fakulteti ndërkombëtar”. Po të hyjmë në faqen zyrtare të Universitetit të Strugës shohim se ka një fakultet që quhet “fakulteti i drejtësisë”, por nuk ka emërtim “i shkencave juridike”.
Me siguri, z. Koka i ka ngatërruar edhe këto terma. Një juristi, nëse mund të quhet i tillë ish-ministri, nuk i falet që të mos dijë se ku ndryshon fakulteti nga universiteti.
Por kjo nuk mbaron me kaq. Top Story zbuloi se zoti Koka, gjatë periudhës që ishte Kryetar i Bashkisë së Durrësit, në vitet 2003-2007, ka qënë pa arsim të lartë.
Kjo sepse, Universiteti i Strugës është hapur në vitin 2007 dhe është akredituar në vitin 2008. Pra, Zoti Koka ka qënë pa diplomë të lartë, në kohën kur ka drejtuar një prej bashkive më të mëdha në vend.
Nëse Universiteti i Strugës është hapur në vitin 2007, i bie që diplomat e para të sistemit 3-vjeçar Baçelor, t’i ketë shpërndarë në vitin 2010. Kjo do të thotë që ish-Ministri i Mjedisit, Lefter Koka, ishte pa shkollë kur drejtonte Bashkinë e Durrësit dhe hyri pa diplomë si deputet në parlamentin shqiptar, në vitin 2009.
Tani ngelet për tu parë se përse z. Koka ka zgjedhur Universitetin e Strugës për të marrë diplomë Juridiku. Përgjigja na vjen, as më pak e as më shumë, por nga vetë Presidenti Aktual i Republikës, z. Ilir Meta, përmes një postimi në faqen e tij në facebook. Ai shkruan: “Kanë të drejtë kur thonë “kako struga, nema druga”. (si struga ska nje tjetër). Sot me Kryetarin e Komunës, mikun tim Ramiz Merko, duke bashkbiseduar për perspektivën e shkëlqyer të Strugës…”
Zoti Meta viziton shpesh Strugën për të takuar mikun e tij, Ramiz Merkon, i cili njeherësh është edhe pronar i Universitetit Ndërkombëtar të Strugës.
Në njërën prej vizitave të tij, Meta është ndalur edhe në këtë universitet, ku për ironi është diplomuar Lefter Koka.
E gjitha kjo ngre hije të forta dyshimi se ish-ministri Koka, ka një arsim të lartë fiktiv, një diplomë si jurist, të cilën e ka marrë tek miku i kryetarit të partisë së tij.
VIDEO
Ish -zv/kryeministri Niko Peleshi, 13 vjet për të mbaruar shkollën e lartë
Niko Peleshi është një tjetër politikan që arriti majat e pushtetit, por me një arsim tepër të dyshimtë.
Ai ka ushtruar detyrën si Kryetar i Dhomёs sё Tregtisё Korçё, si prefekt i qarkut të Korçës dhe më pas si Kryetar Bashkie. Ka mbajtur postin e zv/kryeministrit në mandatin e parë të qeverisë “Rama” dhe më pas Ministër i Bujqësisë në mandatin e dytë.
Por arsimi i zotit Peleshi ka fakte tepër interesante. Sipas CV-së me firmën e tij, dorëzuar në KQZ, ai e ka filluar universitetin në vitin 1989 dhe e ka vazhduar deri në vitin 1992. Pra, ka bërë vetëm 3 vite, në Universitetin Politeknik, Fakulteti i Inxhinierisë Elektrike, në degën Elektronikë.
Më pas, zoti Peleshi ka bërë një shkëputje disavjeçare si emigrant në Gjermani. Është rikthyer në Shqipëri si biznesmen. Dhe në vitet 2000 – 2002 ka vazhduar vitet e mbetura të shkollës. Sipas CV-së së tij, zotit Peleshi i janë dashur 13 vite që të mbaronte shkollën e lartë. Ai është rikthyer në universitet, pikërisht kur i hyri karrierës së tij politike. Burimet e ndryshme në rrugë jozyrtare bëjnë me dije për Top Story-n se Niko Peleshi nuk e ka marrë asnjëherë diplomën e shkollës së lartë, për këtë ne i bëmë një kërkesë zyrtare me shkrim Universitetit Politeknik të Tiranës, por ky institucion nuk ktheu asnjë përgjigjie.
“Ne më shumë kemi në Parlament badigardë dhe kemi mundës dhe forca speciale sesa kemi akademikë”, tha Afrim Krasniqi, Insituti i Studimeve Politike.

Absurditeti, ligji që kontrollon doktoraturat do të votohet nga deputetët injorantë
Shqipëria nuk është i vemti vend që përballet me këtë fenomen. Në Gjermani, që është edhe shteti më i fuqishëm europian, kanë dhënë dorëheqjen 2 ministra pasi janë zbuluar me plagjiaturë në punimet e tyre shkencore.
Në mars të vitit 2011 dha dorëheqjen ministri gjerman i Mbrojtjes, Gutenberg dhe në shkurt të 2013-s u dorëhoq Ministrja e Arsimit Annette Schavan, mike e ngushtë me Angela Merkel. Të dy këta ministra u zbuluan me informacione të kopjuara në tezat e tyre të doktoraturës.
“Bota e ka treguar standartin. Jep dorëheqjen. Dhe nuk mund të jesh më pedagog. Ose të hiqet titulli akademik në universitetet ku ti jep mësim”, tha Taulant Muka, studiues.
Zoti Gjinushi është edhe një nga anëtarët e komisionit në Akademinë e Shkencave që ka hartuar draftin e ri ligjor i cili pritet që t’i japë fund plagjiaturave. Ai tregon për Top Story mënyrën sesi do të kontrollohen të gjitha plagjiaturat shkencore.
“Janë këshillat e Etikës që ka çdo shkollë e lartë. Pastaj çështja vjen në komisionin epror. Komision me 7-9 anëtarë pranë Akademisë së Shkencave. Ka përfaqësues edhe ministria, edhe shkollat e larta, edhe Akademia. Komisioni ka kompetencë që të nisi kontrollet edhe me iniciativën e tijë. Por gjithmonë iniciativa është se ka një denoncim. Jo patjetër kërkesa vjen tek ty. Mund të jetë publike dhe ti e merr. Siç i kërkojmë shpesh herë prokurorisë pse nuk heton këtë apo atë gjë”, tha Skënder Gjinushi.
Ligji parashikon dënime financiare për shkeljet e lehta siç janë mosdhënia e plotë e një reference apo një citimi. Por në rastet e shkeljeve të rënda si plagjiatura apo fabrikimi i një teze mund të humbësh edhe titullin akademik dhe mundësinë për të qenë pedagog.
Por, në një kohë që ligji pritet të shkojë në Parlament, sërish ka probleme. Kjo sepse janë po ata deputetë ngelës të cilët do të votojnë një ligj që do të shfuqizojë doktoraturat e tyre.
Dhe në fund Top story mbyll filmin me një thënie të filozofit Sokrati. Ai ka shkruar se: “Padija është zanafilla e të gjitha të këqiave”.
Pikërisht, ne sot jetojmë në një kohë me probleme të shumta që vijnë nga padija e atyre që na udhëheqin.
Ja kush janë politikanët që s’kanë punuar asnjë ditë të vetme
Në Parlament gjejmë edhe nga ata deputetë që konsiderohen si pa profesion. Ata në gjithë jetën e tyre s’kanë bërë asgjë përveç politikës.
I tillë është rasti i Fatmir Mediut, Pandeli Majkos dhe Ilir Metës.
“Kemi një grup tjetër politikanësh që nuk kanë profesion, nuk kanë punuar kurrë në jetën e tyre dhe që e kapin politikën peng për shkak se nëse largohen nga politika ata ngelin pa profesion”, tha Afrim Krasniqi, Insituti i Studimeve Politike.
Por, ka edhe më keq akoma. Disa deputetë e kanë marrë mandatin akoma pa i mbaruar studimet. Pra, kur ishin ende studentë. I tillë është rasti i Kedi Mehmetaj dhe Floida Kërpaçit të LSI-së. Dy deputete të reja që nga bankat e shkollës kanë hyrë direkt në Kuvend, pa diplomë dhe pa asnjë ditë pune në profesion.

Burimi: Top Channel





