Trupi i 48-vjeçarit që u gjet i murosur në një vilë luksoze në Milano të Italisë ende nuk ka mbërritur në Shqipëri. Familjarët kanë hapur dyert e mortit.
Të afërmit tregojnë se Astrit Lamaj u largua në Itali për një jetë më të mirë dhe një vit më pas humbi kontaktet me familjarët.
Astrit Lamaj, 48-vjeçari që u gjet i murosur disa ditë më parë në një residencë luksoze në Milano të Italisë është nga fshati Trevllazer i njësisë administrative Novoselë në Vlorë.
Një prej të afërmëve të tij, Nelo Meminaj, thotë se kjo ngjarje ka tronditur familjarët që e kërkonin prej vitesh dhe gjithë fshatin. 48-vjeçari u largua para 6 viteve për në Itali në kërkim të një jete më të mirë dhe humbi kontaktet me familjen një vit më pas.
“Për çështje ekonomie iku në Itali. Më ka marrë mua 250 mijë Lekë dhe tha se Shqipëria nuk bëhet dhe ka ik në emigrim”, thotë Meminaj.
Trupi i tij ende nuk ka ardhur në Shqipëri, pasi po i nënshtrohet ekspertizës mjeko-ligjore në vendin fqinj. Ndërsa familja ka hapur dyert e mortit.
“Priten vizitat atje dhe është familje e mrekullueshme. Trupi nuk dihet se kur vjen, sepse do behen ato ekspertizat, ato gjërat”, shton i afërmi i viktimës.
Lajmin për vdekjen e Astrit Lamaj e dhanë mediat italiane. Viktima është identifikuar nga veshjet, pasi ai dyshohet se është murosur aty pesë vite më parë. Po sipas mediave italiane, shqiptari kishte precedentë të mëparshëm penalë për trafik droge në vendin fqinj./ABCNews



