“BE do të vazhdojë të punojë me Turqinë për çështjen e migracionit”

Berger tha se BE-ja do të vazhdojë të punojë me Turqinë për trajtimin e migracionit jo vetëm për çështjen specifike të Sirisë, por edhe për çështjet tjera globale

Ambasadori i Bashkimit Evropian (BE) në Ankara, Christian Berger, ka deklaruar se BE-ja do të vazhdojë bashkëpunimin e saj me Turqinë në trajtimin e çështjeve rajonale dhe globale të migrimit.

Duke folur për Anadolu Agency (AA), Berger, i cili qëndron për vizitë në qytetin mesdhetar Antalya, theksoi se BE-ja do të vazhdojë të punojë me Turqinë për trajtimin e migracionit jo vetëm për çështjen specifike të Sirisë, por edhe për çështjet tjera globale.

“Ne e vlerësojmë plotësisht rolin që luan Turqia për migracionin dhe për pranimin e refugjatëve, veçanërisht nga Siria”, tha Berger, duke shtuar se Turqia tregon “shumë bujari” duke hapur kufijtë e saj për njerëzit që po ikin nga vendi i shkatërruar nga lufta.

Berger theksoi se kyç është adresimi i arsyeve që i shtyjnë njerëzit në migrim “për të larguar nevojën që njerëzit të largohen nga vendet e tyre”.

“Kjo shumë shpesh është situata ekonomike, kriza politike, konflikti, lufta dhe lufta civile”, u shpreh ai.

Në konferencën ndër-rajonale mbi politikën e migrimit, që u mbajt javën e kaluar në Stamboll, zyrtari i BE-së tha se mesazhi kryesor i bllokut është ndarje e barrës, duke shtuar se “Asnjë vend nuk mund ta mbajë vetë barrën e migracionit”.

Turqia strehon mbi 3.5 milionë refugjatë sirianë të cilët u larguan nga lufta civile në vendin e tyre që nga viti 2011, shifër e cila e bën Turqinë vend që strehon më shumë refugjatë se çdo vend tjetër në botë.

Turqia dhe BE-ja nënshkruan një marrëveshje për refugjatët në muajin mars të vitit 2016, me të cilën synohet parandalimi i migracionit të parregullt përmes Detit Egje duke marrë masa më të rrepta kundër trafikantëve të njerëzve si dhe përmirësimin e kushteve të më shumë se 3 milionë sirianëve që jetojnë në Turqi.

Rrjedha e migracionit është reduktuar me 97 për qind pas nënshkrimit të marrëveshjes.