Lulzim Basha: Nuk ka ulje në tavolinë me Ramën

Kreu i opozitës: Zgjedhje parlamentare dhe lokale në një ditë...

“Pranga për politikanët që vodhën zgjedhjet me krimin, qeveri tranzitore pa Ramën dhe zgjedhje të parakohshme parlamentare në një ditë me ato lokale”, deklaroi sot kryetari i PD-së, Lulzim Basha, gjatë një takimi sot me strukturat e partisë në Divjakë.

Duke folur për zgjedhjet lokale, Basha tha se nga pikëpamja kushtetuese dhe ligjore, 30 qershori është një proces nul dhe kriminal.

“Një proces që është nul dhe kriminal nuk mund të prodhojë asgjë të ligjshme. Shumica dërrmuese e refuzoi dhe shumë nga ata që detyroi me forcë, iu përgjigjën duke i bërë votat të pavlefshme. Vlora 14%, Berati 14%, Durrësi 13.5%, Korça 14%, Shkodra 6%. Refuzimi popullor ka qenë plebishitar. 30 qershori është dërrmimi më i madh politik dhe moral i ndonjë pushteti ne këto 30 vjet”, tha ai.

Për sa i përket mënyrës sesi zgjidhet kriza politike, Basha tha se “kjo krizë nuk mbyllet me pazar, shkruan ATA.

“Nuk ka kthim pas. Nuk ka ulje në tavolinë me Edi Ramën, me njeriun që vjedh zgjedhjet. Synimi ynë është largimi i tij, është qeveria tranzitore, është krijimi i kushteve për zgjedhje të lira e të ndershme. Do të vazhdojmë aksionin politik, do të vazhdojmë protestat, nuk do të pranojmë kurrë dhunën shtetërore dhe uzurpimin e dhunshëm të pushtetit.”, theksoi Basha.

Gjithashtu, Basha publikon shifra konkrete ku sipas tij, qeveria ka abuzuar me paratë publike ndërkohë që nuk jep asnjë lek subvencion për fermerët, duke shtuar se”prodhimet tuaja kalben dhe hidhen në kanal, tregjet i kontrollojnë klientët e qeverisë dhe fermerët zhyten në varfëri, borxhe dhe pasiguri”.

Basha tha se “djegia e mandateve bindi qytetarët se opozita nuk po e bën këtë betejë për vete, për karriget, për imunitetet, për privilegjet e veta. Përkundrazi, i sakrifikoi të gjitha këto dhe u rreshtua në krah të njerëzve në betejën për të pasur një qeveri nga njerëzit, për njerëzit dhe të njerëzve”.