Mbrëmjen e sotme të shtëna me armë zjarri u regjistruan në Korçë.
Mësohet se ngjarja ka ndodhur në banesën e Juxhin Kullës në lagjen 3 të qytetit, në vendin e quajtur ish-depoja e ujit.
Drejt banesës persona ende të paidentifikuar kanë qëlluar disa herë në dhe fatmirësisht nuk pati persona të lënduar.
Juxhin Kulla është person me precedent penal në fushën e narkotikëve dhe i dënuar 3 herë në Shqipëri.
Mësohet se ai ndodhej në oborrin e banesës kur është qëlluar.
“Më datë 30.08.2019, rreth orës 21:15, në lagjen nr.3, në afërsi të Depos së Ujit, është qëlluar me armë zjarri, dyshohet në drejtim të një banese, pa shkaktuar dëme në njerëz.
Grupi hetimor në vendin e ngjarjes po punon për zbardhjen e rrethanave të ngjarjes, identifikimin dhe kapjen e autorit”, njoftoi policia.
Po kush është Juxhin Kulla
Në vitin 2016 ai denoncoi dhunën e ushtruar në polici nga shefi i Seksionit Kundër Narkotikëve
Sipas deklaratave të vetë 31- vjeçarit Kulla, dhënë për avokatin, fillimisht ai është shoqëruar në komisariat, ku edhe ka deklaruar se kishte vrapuar të largohej pasi nuk e dinte se në dy makinat e errëta kishte punonjës policie, por më vonë iu bind urdhrit të tyre.
Ai ka treguar se në ambientet e Policisë është rrahur në mënyrë barbare, çka e dëshmojnë edhe shenjat e shumta në fytyrë. “Jam goditur teksa isha me pranga nga shefi i Antidrogës dhe një vartës i tij. Nuk më dhanë arsye, por më thoshin: Trego kush shet drogë, duam emra. Sa herë u thosha nuk di gjë, më godisnin më tepër, deri sa e panë që më kishin masakruar fytyrën. Atëherë ndaluan”, është shprehur para avokatit mbrojtës 31-vjeçari.
Pirro Kotonika, avokati i Juxhin Kullës, thotë se klienti i ka kërkuar që të bëjë një kallëzim lidhur me rastin e dhunimit të tij; ka kërkuar fotografimin e shenjave dhe ekspertimin nga mjeku ligjor, si edhe marrjen e kamerave të sigurisë kur ai është çuar në komisariat me pranga dhe pa asnjë dëmtim, çka tregon se është dhunuar pas shoqërimit dhe brenda ambienteve të Policisë, por nuk i janë realizuar këto kërkesa.
Nga ana tjetër, vetë Policia, me anë të një njoftimi zyrtar, ka bërë me dije se “arrestimi i Juxhin Kullës është bërë pasi ky shtetas, në ambientet e Drejtorisë Vendore të Policisë Korçë, për shkak të detyrës, ka kundërshtuar me dhunë punonjësit e Seksionit Kundër Narkotikëve”.
Sipas Policisë, konfrontimi ka ndodhur mes vetë të shoqëruarit dhe shefit të Seksionit, Buis Hysi, dhe për pasojë kanë marrë dëmtime të dyja palët. Burime zyrtare të Policisë bënë me dije se lidhur me rastin fillimisht është pezulluar shefi i Seksionit Buis Hysi, si dhe është kërkuar një hetim nga SHKB për zbardhjen e plotë të ngjarjes.
Juxhin Kulla, vetëm pak kohë më parë, la ambientet e Burgut të Drenovës pas vuajtjes së një dënimi 8-vjeçar, pasi u kap gjatë një operacioni policor me 5.6 gramë drogë, të cilat iu gjetën në makinë.


