Kryesia e delegacionit turk që është me detyrë në kuadër të Misionit të Forcave Paqësore të Kosovës (KFOR) ka bërë riparimin e shkollës fillore “Svjetlost” në fshatin Manastirc, i banuar kryesisht nga boshnjakët në qytetin e Prizrenit në Kosovë, raporton Anadolu Agency (AA).
Në ceremoninë e zhvilluar me rastin e përfundimit të projektit morën pjesë ambasadori i Turqisë në Prishtinë, Çağrı Sakar, kryekonsulli turk në Prizren Serdar Özaydın, nënkryetarja e Komunës së Prizrenit, Memnuna Ajdini, kryetari i delegacionit turk në misionin e forcave paqeruajtëse (KFOR) në Kosovë, Numan Baş, drejtori i Institutit “Yunus Emre”- Prishtinë (YEE), Mehmet Ülker, si dhe mësues, nxënës dhe prindër.
Në cermoninë e cila filloi me intonimin e himneve kombëtare të Kosovës dhe Turqisë, nxënësit kanë paraqitur një shfaqje me valle popullore.
Ambasadori Sakar në fjalimin e tij tha se ndjenja e unitetit dhe vëllazërisë e krijuar nga e kaluara e përbashkët përfshin të gjitha komunitetet e pranishme në Kosovë.
“Me vetëdijen që arsimi është faktori më i rëndësishëm në zhvillim, ne si përfaqësues të popullit turk vazhdojmë të qëndrojmë si gjithmonë pranë vëllezërve tanë në Kosovë me qëllimin për të siguruar kontribut për një arsim cilësor në Kosovë e cila është një vend me popullatë të re dhe dinamike”, tha Sakar.
Koloneli Baş tha se janë krenarë që kanë kontribuar në emër të popullit turk dhe Republikës së Turqisë për shkollën fillore “Svjetlost” e cila është ndërtuar në vitin 1935 ku shkollohen 114 nxënës. “Kontributet tona për arsimin, për të cilin Ataturku ka thënë se është siguri për të ardhmen, janë burimi ynë i krenarisë dhe lumturisë në një vend mik dhe vëllazëror siç është Kosova”, u shpreh Baş.
Ndërsa nënkryetarja e Komunës së Prizrenit, Memnuna Ajdini tha se “Republika e Turqisë bashkë me institucionet e saj në Kosovë pas luftës kanë qëndruar pranë popullit të Kosovës në çdo çështje”.
Në kuadër të projekteve të bashkëpunimit Ushtarako-Civil të Kryesisë së delegacionit turk, u ndryshuan me dopio-xham PVC të gjitha dritaret në të gjitha klasat, sallat sportive, korridore dhe dritaret e tualetit në shkollë.



