Kryeministri Edi Rama, në cilësinë e kreut të radhës së OSBE po zhvillon një takim me ministrin e Jashtëm të Rusisë, Sergei Lavrov. Shefi i diplomacisë ruse ka pritur Ramën dhe delegacionin e OSBE në Moskë, ku i uroi mirëseardhjen.
Rama dhe Lavrov patën një prezantim të shkurtër për mediat dhe më pas nisën një takim pa kamera, ku do diskutojnë për shumë çështje që kanë lidhje me Ukrainën. Rama në nisje të fjalës së tij u shpreh se ishte i kënaqur që ishte në Moskë dhe e falenderoi Lavrorin për mirëpritjen dhe mundësinë e takimit.
“Ne jetojmë në kohë me turbulenca, dhe sa i përket sigurisë, ajo është e brishtë në këtë rajon dhe njerëzit janë duke vuajtur dhe detyra jonë është që të shkojmë para përmes dialogut. Ajo që dua të theksoj është se OSBE u krijua 45 vite me parë dhe principet e saj janë paqja dhe siguria. Rusia është një fuqi e përfshirë në shumë çështje e negocime, shpresoj që do të kontriboj në çështjet e sigurisë. Kam mbetur i shokuar nga ato që pashë, vuajtjet e njerëzve atje (Ukrainë). Në të gjithë atë zonë njerëzit vuanin dhe ishin në kufijtë e mbijetesës”, u shpreh më tej Rama.
Kryeministri Edi Rama në cilësinë e kreut të OSBE prej ditës së djeshme ka nisur një vizitë në Rusi, ku do kërkojë paqe me Kremlinin për luftën në Ukrainë. Rama është shprehur se puna e tij në OSBE do jetë zgjidhja e konfliktit mes Ukrainës dhe Rusisë. Më herët në punën e tij Rama vizitoi dhe zonën e luftën në Ukrainë dhe u shpreh se ka parë tmerre me sy. Kreu i qeverisë shqiptare ka marrë drejtimin e radhës të OSBE në janar të këtij viti dhe do e mbajë atë deri në dhjetor.



