Hapen Xhamiat në Bosnje, nesër në Serbi dhe të martën në Maqedoni. Po në Shqipëri?

Imami i parë dhe hatibi i xhamisë së Gazi Huserv Beut në Sarajevë, Dr.hfz. Mensur ef. Malkiç udhëheqi sot namazin e xhumasë dhe hutben në këtë xhami.

Xhamitë në Bosnjë e Hercegovinë (BeH) nga dje janë hapur pjesërisht për një numër besimtarësh, pas mbylljes rreth dy mujore për shkak të masave restriktive si pasojë e koronavirusit të ri (COVID-19), gjatë së cilës nga xhamitë është thirrur vetëm ezani.

Në bazë të udhëzimit të Rijasetit, i cili dje hyri në fuqi, nuk trajton numrin e besimtarëve që lejohen të hynë në xhami, por përcakton detyrimin për ruajtjen e distancës së lejuar, sipas së cilës do të konstatohet se sa persona mund të qëndrojnë në një hapësirë të caktuar, njoftoi Agjencia muslimane informative e lajmeve (MINA).

Prandaj, Bashkësia Islame sot edhe një herë u bëri thirrje besimtarëve që të tregojnë përgjegjësi gjatë xhumasë së nesërme, por edhe të heqin dorë dhe në rast se nuk mbetet vend në xhami për shkak të respektimit të distancës fizike, të falen në hapësirën para xhamisë (nëse kushtet e mundësojnë), pra të vazhdojnë të falin në shtëpi namazin e drekës.

“Me siguri, për shkak të distancës së detyrueshme nuk do të ketë hapësirë ​​për të gjithë besimtarët që duan të falin xhumanë në xhami, kështu që ne kërkojmë nga anëtarët e komunitetit që të vazhdojnë të falen në shtëpi”, tha Zyra e Marrëdhënieve me Publikun e Bashkësisë Islame.

Namzi i xhumasë nesër do të transmetohet drejtpërdrejt nga Televizioni BIR, NTV Hayat, BHRT dhe Radio BIR. Gjithashtu, transmetimi i drejtpërdrejt i sinjaleve të Televizionit BIR do të aktivizohet në www.preporod.info.

Nga e premtja hyn në fuqi vendimi i Rijasetit të Bashkësisë Islame të Serbisë për mënyrën e kryerjes së ritualeve fetare pas heqjes së gjendjes së jashtëzakonshme, me çka u hapën xhamitë në Serbi pas gati një muaji e gjysmë të mbyllura si pasojë e koronavirusit të ri (COVID-19).

“Është miratuar që namazet ditore, të xhumasë dhe teravisë nëpër xhami dhe mesxhide, përveç imamëve dhe muezinëve, mund të kryhen nga një numër më i madh i anëtarëve të xhematit, varësisht nga kapaciteti i xhamisë, duke respektuar masën në fuqi të Qeverisë së Republikës së Serbisë për distancë fizike prej 2 metrash, me çka rekomandohet përdorimi i oborrit të xhamisë”, thuhet në një njoftim të Bashkësisë Islame.

Sipas vendimit të marrë në seancën e fundit, objektet e Bashkësisë Islame të Serbisë janë të detyruara të sigurojnë sasi të mjaftueshme të mjeteve të dezinfektimit. Me këtë, detyrohet vendosja e një barriere dezinfektimi në hyrje të xhamive, si dhe dezinfektues për duar.

Për besimtarët e moshuar me sëmundje kronike, rekomandohet që ata të falen në shtëpitë e tyre. Nga ana tjetër, besimtarët që vijnë në xhami këshillohen që të vazhdojnë të jenë jashtëzakonisht të kujdesshëm dhe të respektojnë të gjitha masat për të parandaluar përhapjen e koronavirusit.

“Anëtarët e xhematit që vijnë në xhami dhe mesxhide janë të detyruar të kryejnë ritualin e abdesit në shtëpitë e tyre, ata detyrohen të mbajnë pajisje themelore mbrojtëse siç janë maskat higjienike mbrojtëse për fytyrën dhe dorezat, si dhe të marrin sexhadet e tyre për kryerjen e namazit dhe në mënyrë rigoroze të zbatojnë udhëzimet e dhëna nga personat zyrtarë të Bashkësisë Islame”, thuhet në njoftimin e Rijasetit të Bashkësisë Islame të Serbisë.

Ndërkohë, Këshilli i Bashkësisë Islame në Bujanoc pranë Bashkësisë Islame të Serbisë po ashtu njoftoi se nga e premtja fillon falja e namazeve në xhami, duke filluar me namazin e xhumasë, duke radhitur masat mbrojtëse të miratuara nga autoriteti fetar i Serbisë të cilat duhet të zbatohen brenda xhamive.

Bashkësia Fetare Islame (BFI) e Maqedonisë së Veriut ka vendosur që nga e marta e ardhshme, 12 maj, xhamitë në mbarë territorin e vendit të jenë në “shërbim të xhematit për të kryer obligimet fetare kolektive”, pas një pezullimi pothuajse dymujor të faljes së namazit nëpër xhami shkaku i masave për të parandaluar përhapjen e koronavirusit të ri (COVID-19).

Në një njoftim për media, BFI thekson se me shumë kujdes ndjek “përmirësimin e gjendjes shëndetësore” dhe “uljen e të infektuarve” nga koronavirusi në vend, pas çka ka vendosur hapjen e xhamive për besimtarët muslimanë, por pa dhënë detaje të hollësishme nëse do të zbatohen masa të rrepta brenda xhamive, të tilla si kufizimi i numrit të adhuruesve.

Duke iu përmbajtur rekomandimeve të institucioneve përkatëse për mbrojtjen e shëndetit publik, më 17 mars BFI vendosi pezullimin e faljes së namazit nëpër xhami për të frenuar përhapjen e koronavirusit.

Maqedonia e Veriut deri më tani ka raportuar gjithsej 1.572 raste të konfirmuara me COVID-19, prejt të cilëve 1.079 janë shëruar dhe 89 kanë vdekur.