Hashim Thaçi: Për Kosovën është e rëndësishme që të kemi një angazhim më konkret nga BE-ja

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka mbajtur të enjten konferencë për media, një ditë pas pjesëmarrjes së tij virtuale në Samitin e Zagrebit mes Bashkimit Evropian (BE) dhe Ballkanit Perëndimor, ku u diskutua perspektiva evropiane për rajonin dhe sfidat e shkaktuara nga pandemia COVID-19, raporton Anadolu Agency (AA).

Presidenti Thaçi tha se dje në punimet e Samitit të Zagrebit të liderëve të BE-së kanë folur për rëndësinë e vazhdimit të luftës kundër pandemisë, ndërsa Kosova “falë institucioneve të shëndetit dhe mjekëve ka numër të vogël të viktimave nga koronavirusi”.

Ai më tej tha se përkundër pandemisë, Kosova mbetet e fokusuar në prioritetet e saj, në veçanti në funksionimin e institucioneve demokratike dhe forcimin e sundimit të ligjit.

“Kam theksuar si president i vendit se Kosova si shteti më proevropian në rajon, meriton trajtimin më të shpejtë e më të përgjegjshëm dhe më vendimmarrës nga ana e Bashkimit Evropian, në veçanti sa i përket nevojës dhe meritës për qytetarët dhe institucionet: vendimin e menjëhershëm për liberalizimin e vizave për Kosovën. Sepse, kjo vonesë vetëm sa po zbeh autoritetin dhe besimin kosovar në raport me vendimmarrjen në Bruksel”, theksoi Thaçi.

Ai tha se Kosova krejt padrejtësisht po mbahet në izolim dhe “këtë e kuptojmë si një ndëshkim i padrejtë ndaj qytetarëve dhe institucioneve tona”. Sipas presidentit të Kosovës, ky ndëshkim vjen si mosunitet evropian i cili ndërlidhet me mosnjohjen e pavarësisë së Kosovës nga pesë vendet e BE-së: Spanja, Greqia, Rumania, Sllovakia dhe Qipro.

Çështje tjetër të cilën Thaçi tha se e ka ngritur gjatë këtij samiti ka qenë që BE-ja të përfshihet intensivisht në çështjen e dialogut Kosovë-Serbi.

“Kjo është e mundshme derisa Bashkimit Evropian përfshihet në procesin e dialogut në nivelin më të lartë, me unitet brenda për brenda si shtete anëtare, por edhe me një koordinim të ngushtë me rolin udhëheqës të Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Kosova është që dialogu të vazhdojë që të arrihet marrëveshje finale e paqes mes dy shteteve sovrane, dhe duhet të jetë finale e përfunduar me njohje reciproke si vende të pavarura dhe sovrane”, theksoi ai.

Thaçi në këtë samit ka thënë gjithashtu se BE duhet të mos e shmang politikën e zgjerimit në Ballkanin Perëndimor. Ai tha se për Kosovën është me rëndësi të ketë një trajtim të veçantë, duke u trajtuar gjithmonë si vend i pavarur dhe sovran.

Presidenti kujtoi samitin e Zagrebit të mbajtur para 20 vjetësh, ku “rajonit ju ofrua perspektiva evropiane”. Ndërsa tha se edhe pas këtyre viteve “po dëgjojmë përkushtimin e njëjtë por pa statusin e kandidatit për anëtarësim në BE për Kosovën, përkundër që kemi përmbushur të gjitha kriteret”.

Samiti BE-Ballkani Perëndimor duhej të mbahej në Zagreb, por ai u zhvillua përmes video-konferencës për shkak të pandemisë COVID-19.

Krerët e 27 shteteve dhe qeverive të vendeve anëtare të BE-së, zyrtarë të lartë dhe liderë nga Maqedonia e Veriut, Shqipëria, Kosova, Bosnjë e Hercegovina, Serbia dhe Mali i Zi, kanë shkëmbyer mendime në këtë samit mbi “perspektivën evropiane të Ballkanit Perëndimor”.