Detaje të reja kanë dalë nga shpërthimi me tritol që ndodhi mëngjesin e sotëm në një lokal në Tiranë. Lënda plasëse ka shpërthyer në lokalin “Jujo” i cili ndodhet pranë gjimnazit “Petro Nini” në Tiranë. Të njëjtat burime bëjnë me dije se biznesi është në pronësi të Arben Koçollarit. Mësohet se autori, i cili ishte i veshur me kostum sportiv dhe kapuç në kokë la “pakon” me tritol dhe u largua mes errësirës.

Fatmirësisht nuk pati persona të lënduar por vetëm dëme materiale. Përveç lokalit, në të cilin ishte vendosur lënda plasëse, dëme ka pasur edhe në një dyqan lulesh, që është ngjitur me lokalin.
Ngjarja ndodhi rreth orës 03:30 të mëngjesin të sotëm në rrugën “Dëshmorët e 4 shkurtit” në kryeqytet. Policia ka nisur hetimet për këtë ngjarje.



